
Kanë nisur punimet për ndërtimin e bajpasit të Elbasanit, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor që synon të përmirësojë qarkullimin e mjeteve dhe të krijojë një lidhje më të drejtpërdrejtë me akset kryesore rrugore të zonës.
Gjatë inspektimit të kantierit, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se segmenti do të ndërtohet si autostradë e kategorisë A, duke e cilësuar projektin si një ndërhyrje që do t’i japë zgjidhje problematikës së trafikut në këtë zonë.
Aktualisht, puna është përqendruar në rreth 3 kilometrat e parë të aksit, deri pranë Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit. Sipas ministrit, punimet kanë avancuar edhe falë përfundimit në kohë të procedurave të shpronësimeve, çka ka shmangur pengesat për zhvillimin e projektit.
Bajpasi pritet të ketë edhe një rol strategjik në organizimin e trafikut kombëtar. Sipas Karakaçit, rruga e re do të mundësojë ndarjen e flukseve të automjeteve që udhëtojnë drejt juglindjes nga ato që kanë destinacion jugun e vendit.
Projekti synon kështu të reduktojë ngarkesën në akset ekzistuese dhe të përmirësojë lëvizjen e mjeteve në një prej nyjeve të rëndësishme rrugore të vendit.
