Gazetari shqiptar Gjergj Prenga, i ftuar në emisionin “Weekend” në ekranin e Klan Kosova, ka shprehur mendimet e tij me tone të ashpra ndaj biznesmenit Elton Ilirjani. Ai ka kritikuar ashpër mënyrën se si Ilirjani ka përfituar nga këngëtarja Parashqevi Simaku, duke e quajtur atë një figurë që ka “pushtuar dy ekranet kryesore në Shqipëri” dhe që ka refuzuar të dalë në ekrane të tjera, pasi sipas Prengës, Ilirjani kërkon vetëm marketing dhe promovim.
“Eltoni ka disa kohë që, kur gjeti Parashqevinë, ka pushtuar dy ekranet kryesore në Shqipëri, dhe nuk pranon që të dalë për intervistë në asnjë ekran tjetër, sepse në ekrane të tjera dhe ne gazetarët e tjerë nuk është se ja përmbushim të gjithë nevojat Eltonit, sikurse do ai dhe nuk i shkojmë pas fijes, sikur do Eltoni, se ai do marketing dhe një promovim mjaft të mirë”, ka thënë Prenga.
Gazetari gjithashtu ka komentuar ndihmën e Ilirjanit ndaj Parashqevi Simakut, duke e krahasuar atë me ironi me imazhin e “Nënë Terezës”, dhe jo me atë të një biznesmeni që ndihmon një bashkëpatriote.
“Ka dalë duke bërë sikur është ‘Nënë Tereza’, dhe jo si Elton Ilirjani, një biznesmen i cili ka vajtur në Amerikë, që mori Parashqevinë, një shqiptare”, shtoi ai.
Prenga vazhdoi më tej duke theksuar se shumë shqiptarë jashtë vendit, veçanërisht në SHBA dhe Diasporë, kanë ndihmuar bashkëvendasit e tyre dhe se kjo ndihmë duhet parë në një kontekst të gjerë, jo si një akt i veçantë nga Ilirjani.
Një tjetër moment ‘i nxehtë’ ishte kur gazetari komentoi deklaratën e Ilirjanit, i cili kishte thënë se Parashqevi Simaku nuk kishte pranuar të bëhej punonjëse seksi kur ishte në rrugë. Prenga ka theksuar se Eltoni nuk është personi i duhur për të komentuar aspekte kaq intime të jetës së Simakut.
“Mendoj se Eltoni nuk është i duhuri që duhet të flasë për punonjëset e seksit dhe mendoj se Eltoni nuk është i duhuri që të komentojë gjëra aq intime të Parashqevisë që nuk ka pranuar apo ka pranuar, apo diçka të tillë, deklarata të tilla Eltoni nuk duhet t’i japi fare. Ai është duke i cënuar jo vetëm jetën artistike, por është duke i cënuar dhe lirinë Parashqevi Simakut, pasi Parashqevinë nuk e kemi parë në asnjë paraqitje televizive të vetme”, ka përfunduar Prenga.
Ky qëndrim i gazetarit Gjergj Prenga, vjen një ditë pas publikimit të videoklipit të Parashqevi Simakut, ku aty shfaqej edhe biznesmeni Elton Ilirjani si figurant.