LAJME / E Martë 1 Shtator 2026, 21:09

Briken Calja ‘pushton’ Taranton, medalje ari për Shqipërinë dhe rekord në Lojërat Mesdhetare

Briken Calja ka shkëlqyer në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke i dhuruar Shqipërisë një tjetër medalje ari.

Peshëngritësi kuqezi triumfoi në kategorinë deri në 75 kilogramë, duke dominuar në stilin e shkëputjes.

Calja e nisi garën me një ngritje të suksesshme prej 147 kilogramësh në provën e parë.

Në tentativën e dytë, shqiptari ngriti me sukses 152 kilogramë, duke rritur ndjeshëm peshën.

Por momenti i madh erdhi në provën e tretë, ku Calja ngriti 154 kilogramë.

Kjo peshë i siguroi medaljen e artë, por njëkohësisht vendosi edhe rekord të ri të Lojërave Mesdhetare.

Tre prova, tre ngritje të suksesshme dhe një paraqitje fantastike për peshëngritësin shqiptar.

Me këtë sukses, Shqipëria e çon në katër numrin e medaljeve të fituara në Taranto 2026.

Më herët, të gjitha medaljet kishin ardhur nga sporti i mundjes.

Islam Dudajev fitoi medaljen e artë, Zelimkhan Abakarov siguroi argjendin, ndërsa Ardit Zeneli mori medaljen e bronzit.

Tashmë, Briken Calja i shton koleksionit shqiptar një tjetër medalje të artë dhe një rekord të ri në Lojërat Mesdhetare