LAJME / E Diel 9 Gusht 2026, 21:09

Zbulohet oferta e re e Vetëvendosjes për LDK-në

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe debatet për konstituimin e Kuvendit, duke mbrojtur qëndrimin e partisë së tij për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes subjekteve politike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kërçeli ka deklaruar se asnjë nga kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por as kandidatët e partive të tjera opozitare, nuk kanë arritur të marrin mbi 120 mijë vota në zgjedhjet parlamentare.

Sipas tij, gjashtë kandidatët më të votuar të LDK-së, tre kandidatët më të votuar të Partisë Demokratike të Kosovës dhe i gjithë grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë marrë së bashku afërsisht aq vota sa kishte kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për president, Glauk Konjufca.

“Asnjëri nga kandidatët e LDK-së, po as nga subjektet e tjera, nuk i ka mbi 120 mijë vota. Bile, gjashtë të parët e LDK-së, tre të parët e PDK-së, si dhe i gjithë grupi parlamentar i AAK-së, kanë vota aq sa kishte i nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje për president, Glauk Konjufca”, ka shkruar Kërçeli.

Ai ka theksuar se, megjithëse Glauk Konjufca ishte emri i nominuar nga LVV-ja për postin e presidentit, partia kishte vendosur të tërhiqej nga ai propozim për t’i hapur rrugë një kandidati konsensual.

“Edhe pse ishte nominuar për president dhe pastaj u futëm në zgjedhje, përsëri Lëvizja Vetëvendosje ka bërë koncesion, duke tërhequr një emër politik për të lënë hapësirë për një emër konsensual”, është shprehur ai.

Në reagimin e tij, Kërçeli ka shpalosur edhe atë që e cilësoi si ofertë të Lëvizjes Vetëvendosje për partitë opozitare.

Sipas tij, PDK-së i është ofruar mundësia që të marrë postin e kryetarit të Kuvendit, ndërsa presidenti të jetë një figurë konsensuale.

“Për PDK-në: po e zgjedhim një president konsensual dhe kryetarin e Kuvendit për PDK-në. Njërën nga tri pozitat e larta të shtetit. Dhe gjatë votimit për president mund të votoni kundër, mirëpo merrni pjesë në formimin e institucioneve”, ka shkruar ai.

Sa i përket LDK-së, Kërçeli ka rikujtuar marrëveshjet e mëhershme të kësaj partie në qeverisje, duke theksuar se edhe pse tani ka më pak deputetë, LVV-ja i ka ofruar pozita të rëndësishme në ekzekutiv.

Ai ka përmendur si ofertë postin e zëvendëskryeministrit dhe tre ministrive, ose alternativisht postin e kryetarit të Kuvendit dhe tre ministri, duke shtuar se deputetët e LDK-së mund të marrin pjesë në votimin për president edhe nëse votojnë kundër kandidatit.

Në fund, deputeti i Vetëvendosjes ka kritikuar partitë opozitare, duke thënë se ato po kërkojnë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, por njëkohësisht po refuzojnë ofertat që, sipas tij, do të mundësonin formimin e institucioneve të reja.

Deklaratat e Kërçelit vijnë në kohën kur kriza politike në vend vazhdon, ndërsa partitë parlamentare ende nuk kanë arritur një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE