
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje për zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke e akuzuar se po keqpërdor besimin e qytetarëve dhe po zvarrit me vetëdije procesin e konstituimit të institucioneve.
Duke komentuar situatën e krijuar pas dështimit të njëpasnjëshëm të seancave konstituive, Lushtaku tha se Kosova do të duhej të kishte tashmë institucione funksionale, por sipas tij, kalkulimet politike të partisë fituese po e mbajnë vendin në krizë.
Ai e nisi deklaratën e tij me një shprehje të njohur popullore, duke thënë se secili përballet me pasojat e veprimeve të veta.
“Njeriu çka mbjell edhe korr. Në gjendje normale ne sot do ish dashtë të kemi konstituimin e Kuvendit, të zgjidhej kryetari dhe nënkryetarët, të formoheshin komisionet dhe të pritej zgjedhja e presidentit, por nuk e kemi një gjendje normale sepse ata që e kanë marrë besimin e qytetarëve tallen me atë besim dhe për kalkulimet e tyre të pushtetit bëjnë manovrime me qëllimet e tyre të përfitimit”, deklaroi Lushtaku.
Sipas deputetit të PDK-së, zvarritja e konstituimit të Kuvendit po dëmton funksionimin normal të institucioneve dhe po e thellon krizën politike në vend.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pavarësisht skadimit të afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Situata ka nxitur akuza të ndërsjella mes pozitës dhe opozitës, ndërsa partitë politike vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta lidhur me mënyrën e zgjidhjes së ngërçit institucional.
Deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka mbrojtur qëndrimin se nevojitet një marrëveshje më e gjerë politike për funksionalizimin e institucioneve, ndërsa partitë opozitare e akuzojnë për zvarritje të qëllimshme të procesit, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
