
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka bërë publike atë që e cilëson si ofertën e partisë së tij për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), në përpjekje për të zhbllokuar krizën politike dhe për të mundësuar formimin e institucioneve të reja të vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kërçeli ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë lëshime të rëndësishme politike, duke hequr dorë nga kandidatura e saj për president, me qëllim që të krijohet hapësirë për një kandidat konsensual.
“Edhe pse ishte nominuar për president dhe pastaj u futëm në zgjedhje, përsëri Lëvizja Vetëvendosje ka bërë koncesion, duke tërhequr një emër politik për të lënë hapësirë për një emër konsensual”, ka shkruar ai.
Sipas Kërçelit, oferta e Vetëvendosjes për PDK-në përfshin dorëzimin e një prej tri pozitave më të larta shtetërore.
“Për PDK-në: po e zgjedhim një president konsensual dhe kryetarin e Kuvendit për PDK-në. Njërën nga tri pozitat e larta të shtetit. Dhe gjatë votimit për president mund të votoni kundër, mirëpo merrni pjesë në formimin e institucioneve”, ka deklaruar ai.
Deputeti i VV-së ka lënë të kuptohet se kjo ofertë synon të sigurojë pjesëmarrjen e PDK-së në procesin e krijimit të institucioneve, pa e detyruar atë të mbështesë kandidatin për president.
Kërçeli ka folur edhe për ofertën ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke rikujtuar marrëveshjet e mëhershme të kësaj partie në qeverisje.
Sipas tij, Vetëvendosje i ka ofruar LDK-së dy alternativa: postin e zëvendëskryeministrit dhe tre ministri, ose postin e kryetarit të Kuvendit dhe tre ministri, pavarësisht se, sipas tij, LDK aktualisht ka vetëm 18 deputetë.
Ai shtoi se edhe deputetët e LDK-së mund të marrin pjesë në votimin për president, edhe nëse vendosin të votojnë kundër kandidatit.
Në reagimin e tij, Kërçeli është ndalur edhe te rezultati zgjedhor, duke thënë se asnjë kandidat i LDK-së apo i partive të tjera nuk ka marrë më shumë se 120 mijë vota.
“Asnjëri nga kandidatët e LDK-së, po as nga subjektet e tjera, nuk i ka mbi 120 mijë vota. Bile, gjashtë të parët e LDK-së, tre të parët e PDK-së, si dhe i gjithë grupi parlamentar i AAK-së, kanë vota aq sa kishte i nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje për president, Glauk Konjufca”, ka shkruar ai.
Në fund të reagimit të tij, deputeti i Vetëvendosjes ka akuzuar PDK-në dhe LDK-në se po kërkojnë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, por njëkohësisht po refuzojnë ofertat që, sipas tij, do të mundësonin formimin e institucioneve.
“Edhe LDK-ja, edhe PDK-ja po bëjnë thirrje për ta votuar kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët, edhe pse po refuzojnë ofertën për formimin e institucioneve”, ka përfunduar Kërçeli.
Deklaratat e deputetit të Vetëvendosjes vijnë në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me ngërç institucional, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e institucioneve të reja, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
