LAJME / E Enjte 30 Nëntor 2023, 16:04

Vrau fqinjin dhe plagosi një tjetër, reagon shefi i Komisariatit të Policisë Kamëz dhe zbardh detajet e reja: Konflikti ka nisur para tre vitesh, arma e autorit...

Në një deklaratë për mediat, shefi i Komisariatit të Policisë në Kamëz raporton se 70-vjeçari Maliq Marku i cili hapi zjarr duke shënuar ngjarjen tragjike me një viktimë dhe një të plagosur.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në zonën e Laknasit, pranë Kamzës, pasi një i moshuar ka hapur zjarr ndaj dy fqinjëve të tij, duke vrarë njërin dhe duke plagosur tjetrin.

Sipas burimeve raportohet se 70-vjeçari Maliq Marku është konfliktuar fillimisht me dy fqinjët e tij verbalisht dhe më pas ka shkuar në banesë ku ka marrë armën.

Sakaq, shefi i Komisariatit të Policisë në Kamëz është shprehur për mediat se Marku u arrestua në banesën e tij dhe arma e krimit mbahej nga ai pa leje.

Shkak për konfliktin u raportua se ka qenë një kanal i ujërave të zeza që kalonte pranë banesave të tre personave të përfshirë në rast.

Po ashtu mësohet se konflikti mes tyre daton rreth 3 vite më parë dhe se policia ka pasur dijeni për zënkat e mëparshme mes fqinjve.

“Kemi marrë njoftimin për ngjarjen kriminale dhe menjëherë kemi arrestuar autorin e ngjarjes, Maliq Marku, 70-vjeç. Autori i vrasjes u arrestua në banesën e tij. Rezulton se një person është vrarë dhe tjetri ndodhet në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Konflikti raportohet se ka qenë për motive të dobëta.

Arma tip kallashnikov ishte pa leje dhe u kap në banesë. Bëhet fjalë për një kanalizim të ujërave të zeza që ndodhet pranë banesave të personave të përfshirë në konflikt”, u shpreh shefi i Komisariatit të Kamzës.