LAJME / E Premte 18 Shtator 2026, 10:10

Sa kushtoi vizita në SHBA? Berisha e pranon hapur, viza u sigurua falë milionave

Kreu i PD-së ka pranuar se për çështjen e tij është lobuar në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ka mbrojtur edhe kontratën shumë-milionëshe me kompaninë Continental.

Sali Berisha ka pranuar se janë hedhur miliona në prapaskenë për vizitën e tij në SHBA.

Kreu i PD doli sot në “Opinion” për të shitur si arritje të madhe vizitën, por njëherësh pranoi se e gjithë kjo u arrit falë lobimeve të shumta dhe të kushtueshme.

Ai këmbënguli se lobimi për çështjen e tij nuk është kryer nga kompania e Chris LaCivita, por nga Continental.

“Nuk ka lobuar LaCivita. Ka lobuar Continental”, tha ai, duke u ndalur më pas edhe te mënyra se si është përzgjedhur kompania amerikane.

Sipas Berishës, Continental kishte paraqitur “çmimin më të ulët”, ndërsa pagesat nuk janë kryer prej tij personalisht apo drejtpërdrejt nga Partia Demokratike, por nga një fondacion i krijuar për të mbështetur PD-në.

Berisha e ka pranuar edhe më herët drejtpërdrejt se lobimi amerikan ishte përdorur për çështjen e tij.

“A kanë lobuar për Sali Berishën? Po, kanë lobuar, pa diskutim. Procedura është lobim”, ka deklaruar ai.

Në të njëjtën deklaratë, Berisha e lidhte lobimin pikërisht me pengesën që kishte për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

“Të vetmin sanksion që kam pasur, ka qenë viza”, tha ai, ndërsa për financimin shtoi se “pagesa është kryer nga fondacioni që ndihmon PD-në”.

Pranimi merr peshë edhe për shkak të dokumenteve të publikuara më herët mbi aktivitetin e Continental në Uashington.

Më 28 mars 2025, përfaqësues të organizatave shqiptaro-amerikane i kërkuan Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, që Berishës t’i jepej një vizë afatshkurtër njëhyrëse për të udhëtuar në SHBA. Dokumenti ishte shpërndarë nga Continental Strategy në kuadër të shërbimeve të saj për Partinë Demokratike.

Pas kësaj kërkese, më 1 maj, Continental PLLC dërgoi një tjetër shkresë ku analizonte rrugët përmes të cilave mund të ndryshohej pengesa që Berisha kishte për hyrjen në SHBA. Në dokument thuhej se Sekretari amerikan i Shtetit kishte kompetencën për të tërhequr ose revokuar përcaktimin.

Në qendër të debatit mbetet edhe kostoja.

Kontrata e lobimit parashikonte 250 mijë dollarë në muaj për dy vjet, ose deri në 6 milionë dollarë nëse zbatohej për të gjithë periudhën. Raportimet mbi marrëveshjen kanë evidentuar gjithashtu një parapagesë prej 750 mijë dollarësh.

Berisha, megjithatë, këmbëngul se nuk i ka paguar personalisht këto para dhe ia atribuon financimin fondacionit që mbështet PD-në. Por këtu lind pikëpyetja e madhe dhe vetë SPAK ka dështuar. Prokuroria nisi hetimet, por nuk i bitisi dot.