LAJME / E Premte 18 Shtator 2026, 10:10

Jo vetem per burrat, por edhe … hapet qendra e rendesishme

Jo vetëm gratë, por edhe burrat kanë nevojë për mbështetje psikologjike për të parandaluar dhunën. Me këtë qëllim është inauguruar në Shqipëri Qendra e Këshillimit për Burra dhe Djem, një shërbim i specializuar që ofron ndihmë profesionale, konfidenciale dhe etike për mirëqenien emocionale.

Qendra është krijuar nga Qendra Popullsi dhe Zhvillim, në bashkëpunim me organizatën HERA nga Maqedonia e Veriut dhe me financim nga Ministria Sociale e Austrisë. Sipas drejtores së qendrës, Elona Gjebrea, nevoja për këtë shërbim doli nga një studim kombëtar mbi shëndetin mendor të burrave dhe djemve, ku u evidentuan kërkesa të shumta për këshillim.

Aktualisht shërbimi i dedikohet grupmoshës mbi 18 vjeç, por nuk përjashtohet zgjerimi i tij në të ardhmen në varësi të nevojave.

Synimi kryesor është nga njëra anë parandalimi i sjelljeve të dhunshme përmes adresimit të problemeve të shëndetit mendor, dhe nga ana tjetër puna me autorët e dhunës pasi ajo ka ndodhur, për të shmangur përsëritjen. Modeli ndjek praktikat më të mira evropiane, siç është ai austriak, ku autori ndaj të cilit lëshohet urdhër mbrojtjeje detyrohet ligjërisht të ndjekë të paktën 5 orë këshillim në qendra të specializuara në të gjithë vendin.

I pranishëm në hapjen e qendrës, atasheu austriak për Çështjet Sociale, Harald Breza-Fugger, theksoi se kjo nismë është në linjë me direktivën e re të BE-së për luftën kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, e cila kërkon jo vetëm shërbime për viktimat, por edhe masa parandaluese të detyrueshme edhe për vendet kandidate.

Nisma synon që kërkimi i ndihmës psikologjike nga burrat dhe djemtë të mos shihet më si tabu, por si një standard mbrojtës për familjen dhe shoqërinë, duke ndërhyrë te shkaku për një ndryshim afatgjatë.