
Një moment paniku është regjistruar në një restorant në Toledo të Ohios, ku ish-avokati Matthew Exton nxori një armë dhe tentoi të qëllonte ish-gruan e tij.
Ngjarja, e ndodhur në prill të vitit 2025, është rikthyer në vëmendje pas publikimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, ndërsa Exton tashmë është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje.
Pamjet tregojnë Exton duke iu afruar tavolinës ku ndodhej ish-gruaja e tij dhe familjarë të saj. Ai nxjerr armën dhe e drejton në drejtim të saj, por arma nuk shkrep. Sipas prokurorisë, siguresa e armës ishte ende e vendosur.
Në momentin kur Exton po përpiqej të ndërhynte te arma për të bërë një tjetër tentativë, një kamerier u hodh drejt tij dhe e rrëzoi në tokë. Menjëherë pas tij ndërhynë edhe persona të tjerë që ndodheshin në restorant, duke e mbajtur të neutralizuar.
Arma ishte e mbushur me një plumb në fole dhe shtatë të tjerë në karikator, sipas autoriteteve.
Para se të rikthehej me armë në restorant, Exton kishte qenë në një lokal aty pranë, ku kishte parë ish-gruan dhe familjen e saj. Sipas prokurorisë, ai fillimisht hyri në restorant dhe porositi një pije që iu dërgua tavolinës së saj. Më pas u largua dhe u rikthye i armatosur.Gjatë procesit gjyqësor, Exton mohoi se kishte pasur qëllim ta vriste ish-gruan. Ai u shpreh se arma ishte përdorur për ta bindur atë të përshpejtonte shitjen e shtëpisë së tyre të mëparshme.
Juria e shpalli 43-vjeçarin fajtor për tentativë vrasjeje, dy akuza për sulm të rëndë dhe disa akuza të lidhura me përdorimin e armës. Për një tjetër akuzë për sulm ai u shpall i pafajshëm. Exton pritet të dënohet më 21 shtator dhe mund të përballet me deri në 25 vite burg.
Licenca e tij si avokat ishte pezulluar nga Gjykata Supreme e Ohios në maj të vitit 2025, pas incidentit.
