
Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur disa ditë më parë në zemër të qytetit të Elbasanit, ndërkohë që vetëm së fundmi është bërë publik për mediat. Nga ABC News thuhet se drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit, Luan Tabaku, është dhunuar brutalisht nga dy persona, të lidhur me klanet në Elbasan, konkretisht nga Endri Çopja dhe Horgito Peqini.
Ky akt barbar ka ndodhur rreth orës 10:45 të mëngjesit të së dielës mu në qendër të qytetit të Elbasanit, mirëpo deri më sot nuk ishte bërë publik për mediat. Mësohet se Tabaku është dhunuar barbarisht me sende të forta, ndërkohë si pasojë ka pësuar dy fraktura në kokë.
Megjithatë vetë drejtori nuk ka zgjedhur të bëjë kallëzim në Policinë e Elbasanit, mirëpo kjo e fundit ka nisur hetimet pasi të shumtë kanë qenë ata qytetarë të cilët kanë qenë dëshmitarë të këtij akti barbar.
Teksa Policia është duke punuar për të zbardhur këtë ngjarje dhe shkaqet, nga burime jozyrtare dyshohet se Luan Tabaku kishte larguar nga puna në Bashkinë e Elbasanit bashkëshorten e Endri Çopjas dhe ky vendim këtë të fundit e kishte irrituar dhe si rrjedhojë kishte nisur përplasja mes tyre.
Endri Çopja dhe Horgito Peqini nuk janë emra të panjohur për drejtësinë shqiptare. Çopja ka qenë më herët i arrestuar si i dyshuar për përfshirjen në atentatin me eksploziv ndaj Lulzim Kullës, ngjarje e ndodhur në janar të 2018 në Shkodër. Ai u la i lirë pasi grupi hetimor nuk gjeti prova që ta inkriminonin në këtë ngjarje.
Ndërkohë që emri i tij është përfolur edhe në atentatin e porositur nga ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu e cila dëshironte që të “hiqte qafe” gazetarin Saimir Kodra. Asokohe, kjo “dëshirë” e gjyqtares do të realizohej nga grupi Çopja, pikërisht nga Endri Çopja dhe Kejdi Çopja. Mirëpo sipas asaj që SPAK bëri me dije më herët krimi nuk u realizua pasi grupi kriminal nuk e kishin gjetur dot gazetarin.
Ndërsa, sa i përket Horgito Peqini, autorit tjetër të dyshuar që ka dhunuar drejtorin e Ujësjellësit, ai rezulton të jetë nipi i Eduart Peqinit, i njohur në Elbasan edhe si “Mandela e Elbasanit”. Peqini u bë i njohur për një tjetër ngjarje të rëndë kriminale në Elbasan. Më 17 gusht 2022, atëherë 18 vjeç, ai u arrestua pasi dyshohej se kishte qëlluar për vdekje me armë zjarri 33-vjeçarin Madrit Ulqinaku, në qendër të qytetit.
Sipas dëshmive të administruara nga hetuesit, para ngjarjes Peqini ndodhej së bashku me Klaudian Sallufin dhe Ejden Dinon, ndërsa më pas, pas një konflikti mes Sallufit dhe Ulqinakut, Peqini dyshohet se nxori pistoletën dhe qëlloi mbi 33-vjeçarin, duke e lënë të vdekur.
Policia hetoi edhe pistën e një konflikti të mundshëm të lidhur me pazaret e drogës. Për ngjarjen u arrestuan Horgito Peqini, Klaudian Sallufi dhe Ejden Dino, të dyshuar për role të ndryshme në krim.
