LAJME / E Hënë 22 Qershor 2026, 21:09

Ultimatumi final! Protestuesit i tregojnë Edi Ramës 5 kërkesat që duhet të zbatohen urgjentisht, ja çfarë kërkohet

Protestuesit listojnë kërkesat e reja: Asnjë kryeministër mbi dy mandate

Protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë kanë bërë publike kërkesat e tyre të reja, të cilat u lexuan nga Dritan Goxhaj gjatë tubimit të zhvilluar në Tiranë.

Në emër të pjesëmarrësve, Goxhaj paraqiti një listë me kërkesa që, sipas organizatorëve, synojnë hapjen e një procesi të ri politik dhe institucional në vend.

Kërkesa e parë ishte dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa protestuesit kërkuan gjithashtu krijimin e një qeverie teknike me mandat njëvjeçar, e cila do të kishte si objektiv menaxhimin e tranzicionit politik dhe përgatitjen e reformave të nevojshme.

Mes kërkesave të tjera u përfshinë ndryshimet kushtetuese dhe rishikimi i Kodit Zgjedhor, me argumentin se sistemi aktual ka nevojë për reforma që garantojnë përfaqësim më të drejtë dhe transparencë më të madhe në proceset zgjedhore.

Protestuesit kërkuan gjithashtu kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, duke e konsideruar këtë si një masë për të shmangur përqendrimin e pushtetit në duart e një individi.

Një tjetër kërkesë ishte shfuqizimi i të ashtuquajturës “Paketë e Maleve”, ndërsa në fund u kërkua hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe institucioneve të shtetit.

Lista e plotë e kërkesave të protestuesve:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike dhe tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe miratimin me referendum popullor, duke përfshirë:

* ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;

* kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës së një individi.

Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare:

* Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura.

* Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore.

* Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”.

* Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.

* Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, që do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.

“Këto janë kërkesat tona, legjitime dhe të panegociueshme. Mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore deri në realizimin e tyre”, përfundoi fjalën e tij Goxhaj, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE