
Ngjarja, e ndodhur rreth tre muaj më parë dhe e bërë publike së fundmi, u regjistrua në shtetin Zacatecas, ku Oyuqi Ramirez Burciaga, me profesion gjyqtare, ndodhej së bashku me djalin e saj Matias pranë një kompleksi sportiv.
Një tufë bletësh sulmoi njerëzit që ishin mbledhur në zonë për një aktivitet sportiv, duke plagosur të paktën 11 persona.
Në momentin e sulmit, gruaja reagoi instinktivisht për të mbrojtur të birin. Sipas dëshmitarëve, ajo hoqi bluzën e sipërme dhe mbuloi me të fëmijën, përpara se ta fuste në mënyrë të sigurt në makinën e saj. Ky veprim e la atë të ekspozuar ndaj sulmit të bletëve.
45-vjeçarja u pickua rreth 300 herë dhe u transportua në spital me plagë të rënda. Ajo tentoi gjithashtu të ndihmonte babanë e saj të moshuar, i cili ishte rrethuar nga tufa e bletëve.
Ndërkohë, personat e tjerë të pranishëm në vendngjarje u përpoqën të largoheshin në panik. Raportohet se edhe disa prej shpëtimtarëve u plagosën, ndërsa shërbimet e emergjencës nuk kishin pajisje të specializuara mbrojtëse për të përballuar një sulm të përmasave të tilla.
Gruaja u dërgua në spital ndërsa ishte ende e vetëdijshme, por gjendja e saj u përkeqësua gjatë ditëve në vijim. Ajo pësoi reaksione të rënda alergjike dhe inflamacion të fortë, ndërsa mjekët u përballën me komplikacione serioze të lidhura me sasinë e madhe të helmit të bletëve në organizmin e saj.
Oyuqi qëndroi për nëntë ditë në terapi intensive, përpara se të ndërronte jetë.
Ajo kishte marrë detyrën si gjyqtare vetëm shtatë muaj para vdekjes. Guvernatori i shtetit Zacatecas, David Monreal Ávila, shprehu publikisht ngushëllimet për familjen e saj pas lajmit të ndarjes së saj nga jeta.
