LAJME / E Martë 24 Qershor 2025, 15:03

SPAK heton gjurmët e parave në emër të nënës së Kryemadhit, në pritje të ekspertizave që mund të zbuloj pasuri…

Gjykata e Posaçme (GJKKO) detyroi prokurorin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Sotir Kllapi t’i raportonte lidhur me veprimet hetimore që ka kryer për ish-presidentin e Republikës, Ilir Meta i cili është marrë i pandehur për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Përgjatë seancës prokurori renditi çdo veprim që ka kryer, si dhe faktin se po pret disa ekspertiza për pasuritë e ish-vjehrrës së Ilir Metës. Por çfarë ka gjetur SPAK për pasuritë e Fatime Kryemadhit? Sipas dosjes, Meta dhe Monika kanë përdorur sistematikisht Fatime Kryemadhin për të futur në xhep paratë e aferave, për të fshehur pasuri dhe pastruar para.

Sipas dosjes, Fatime Kryemadhi fuste para cash në bankat e nivelit të dytë, para që më pas tërhiqeshin nga Monika Kryemadhi si të ishin të ligjshme.

Sipas SPAK, edhe pse nëna e Kryemadhit ishte një grua që merrte një pension vetëm prej 8316 lekësh për punën e saj si infermiere, në llogaritë e saj lëvizin qindra mijëra euro si për kredi, si për shtëpi, si për pagesa të shkollave të fëmijëve në Angli, si për shpenzime nëpër dyqane të shtrenjta, llixha apo ndërhyrje kirurgjikale. Në dosjen e SPAK janë evidentuar disa raste kur Monika Kryemadhi merrte overdrafte të cilat më pas shlyheshin nga mamaja e saj Fatime Kryemadhi, e cila nuk jep shpjegime në lidhje me burimin e të ardhurave me të cilat shlyente këto overdrafte në vlerë mijëra euro. Një ndër rastet është dhe sesi mamaja e Kryemadhit, Fatime Kryemadhi e ka financuar shlyerjen e kredisë që ka marrë prej 335.000 euro për blerjen e apartamentit duplex. Nga analiza financiare që iu bë të ardhurave dhe shpenzimeve, të pasqyruara në llogaritë bankare të Fatime Kryemadhit rezultoi se kjo shtetase, në vitin-2010, ka balancë negative në shumën 846,000 Euro.

Gjithashtu ne një rast rezulton se ka përdorur sikur i kishte marrë cash nga kompania Agi Kons e Gentian Sulës. “Shtetasit Monika Kryemadhi dhe Ilir Metaj në deklaratën e interesave private vjetore të vitit 2010 të pasurive dhe interesave private, kanë bërë deklarim të rremë lidhur me burimin e financimit, për blerjen e apartamentit me nr. pasurie 3/64+1-9, ndodhur në rrugën “Vaso Pasha”, nuk kanë deklaruar shpenzimet e qirasë së apartamentit nr. pasurie 3/64+1-9 deri në periudhën e blerjes, si dhe ka dyshime se kanë bërë deklarim të rremë të pasurisë pasi apartamenti i regjistruar në pronësi të Kozeta Finos, rezulton se është pronë e shtetasve Ilir Metaj dhe Monika Kryemadhi e fshehur në emrin e Fatime Kryemadhit. Ata nuk kanë deklaruar se financimin në vlerën 200.000 Euro për blerjen e apartamentit me numër pasurie 3/64+1-9 është kryer nga Fatime Kryemadhi, por kanë deklaruar se shuma prej 200.000 Euro ka qenë gjendje cash nga shitja në vitin 2006 e vilës në Golem, Kavajë, ndërkohë që nëse ata do ti kishin këto shuma parash cash, nuk kishte pse Fatimja të financonte në një kohë shumë të shkurtër llogaritë bankare të tyre në këtë vlerë, madje dhe më shumë.

Ky përfundim bazohet në faktin se Fatime Kryemadhi përveç se ka paguar shumën 310.000 Euro, ka paguar edhe tatimin e pronës që në rastin e shitjes së një pasurie paguhet nga pronari i pasurisë në lidhje me kredinë e marrë prej saj me qëllim financimin e blerjes së apartamentit prej shtetases Kozeta Fino Nr. 3/64+1-8./. Shtetasja Fatime Kryemadhi e ka financuar shlyerjen e kredisë që ka marrë prej 335.000 Euro nga para të derdhura cash në vlerën 246.000 USD dhe para të tjera burimi i të cilave nuk është ai i cili është kompania Agi Kons e deklaruar nga Fatimja, dhe si rrjedhim dyshohet se janë para të fituara në mënyre të paligjshme.

Nga analiza financiare që iu bë të ardhurave dhe shpenzimeve pasqyruara në llogaritë bankare të Fatime Kryemadhit rezultoi se kjo shtetase, në vitin 2010, ka balancë negative në shumën 846,000 Euro. Në këto rrethana lidhja e kontratës me shtetasen Kozeta Fino nga ana e Fatime Kryemadhit, marrja prej saj e kredisë bankare, si dhe financimi me këto të ardhura i një pjese të apartamentit të blerë nga Ilir Metaj e Monika Kryemadhi Nr. 3/64+1-9, ndërkohë që vetë Fatimja në këtë kohë ishte pensioniste, krijon dyshimin e arsyeshëm se është bërë me qëllim për të futur në sistemin bankar shuma monetare që burojnë nga veprimtari të paligjshme sikurse është dhe vepra penale e “Korrupsionit”.

Me qëllim për të mos përdorur për blerjen e apartamenteve këto shuma parash me origjinë korruptive, është përdorur si truk marrja fillimisht e dy kredive bankare, dhe më pas shlyerja e kredive nëpërmjet depozitimit Cash pa burim të ligjshëm nga Fatime Kryemadhit, me deklarimin e burimeve të paqëna sikurse është rasti i shtetasit Gentian Sula me qëllim shlyerjen e kredive, është arritur që të futen në sistemin bankar një shumë e pajustifikuar parashë prej 846,000 Euro. Për këtë shumë parash, Fatimja nuk ka dhënë asnjë shpjegim të besueshëm, por thjesht është përpjekur që të justifikojë ato me të ardhura të siguruara nga huatë, pasqyruar kjo në deklarata noteriale të paraqitur nga shtetas të ndryshëm, të cilët paraqiten si huadhënës sikurse është rasti i Ema Çokut.

Këto deklarata noteriale, jo vetëm që janë përpiluar pas pyetjes së shtetases Fatime Kryemadhi, por në sistemin bankar nuk ka asnjë të dhënë për marrjen e shumave monetare, dhe as për shlyerjen e tyre ndonëse ka kaluar një periudhë kohore prej 15 vjet nga ndodhja e fakteve. Shtetasja Fatime Kryemadhi, nuk ka patur mundësi për të krijuar të ardhura në shumën 300.000 Euro, para të cilat i ka përdorur për të likuiduara kredinë e marrë, të cilën e përdori për të financuar Monika Kryemadhin dhe Ilir Metën për blerjen e apartamentit të regjistruar si pronë e Mirvjen Ninos, dhe as financimin e apartamentit të saj të blerë nga Kozeta Fino. Në këtë mënyrë Fatime Kryemadhi, rezulton se i ka marrë kreditë bankare, me qëllim për të futur në sistemin bankar, nëpërmjet pagimit të kësteve të kredive shuma monetare të cilat burojnë nga veprimtari e korrupsionit. Pra shumat e parave të ligjshme të përfituara nga kreditë, janë kthyer në bankë me para të paligjshme të përfituara nga veprimtari korruptive. Në këtë mënyrë, ajo ka mbuluar natyrën e vërtetë të shumave monetare të siguruara në mënyrë të paligjshme”, thuhet në faqen 132.

Me kartën e kreditit në emër të gjyshes, Fatime Kryemadhi, SPAK thotë janë kryer blerje në dyqane veshjesh e këpucësh në Britaninë e Madhe me vlerën e 3.5 mln lekëve. “Për vitin 2019, me kartën e kreditit të lidhur me llogarinë bankare nr. 2**** të Fatime Kryemadhit, janë kryer blerje në vlerën 3.533.830 Lekë në dyqane veshjesh dhe këpucësh në Britaninë e Madhe’ thuhet në dosjen e SPAK. Në dosje argumentohet: sipas shkresës nr. 21508/1 Prot datë 29 Dhjetor 2022, të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për vitin 2019, shtetasja Fatime Kryemadhi ka zhdoganuar vetëm dy pako më artikuj të blerë në dyqanin Net A Porter, në vlerën 2007 Pound të blera në datën 15 Prill 2019 dhe 6 Qershor 2019. Këto blerje janë reflektuar në bankë me një ditë vonesë. Edhe shtetasja Monika Kryemadhi, Era Metaj dhe Bora Metaj nuk kanë kryer zhdoganime për vitin 2019 të mallrave të blera në dyqanet Net A Porter, Selfridges London, John Bell, Matchesfashion etj. Nga kjo rezulton se mallrat e blera në këto dyqane mund të jenë blerë fizikisht në dyqan nga Bora Metaj, Era Metaj dhe Monika Kryemadhi, ose të jenë dërguar me postë nga shitësi në adresën e banimit në Angli të Bora Metai dhe Era Metaj. Ndërkohë në 8 nëntor 2019 nga karta e kreditit janë bërë pagesa në Lounge e klasit biznes në Aeroportin e Vienës ndërkohë që në këtë periudhë Fatime Krymadhi ka qenë në Shqipëri.

Përdorën vdekjen e burrit të Fatimes për të pastruar para

Vjehrra e Ilir Metës, Fatime Kryemadhi ka përdorur dhe shfrytëzuar edhe vdekjen e bashkëshortit të saj, për të mbuluar pastrimin e parave të pista dhe justifikuar blerjen e një apartamenti në ish Bllok. Zonja Fatime, e cila shërbente si arkë apo bankomat i çiftit Meta-Kryemadhi, ka deklaruar se njerëzit i kishin hedhur 100 milionë lekë në ngushëllimin për humbjen e bashkëshortit. “Nga të ardhurat e qirasë dhe nga të ardhurat nga puna e saj, Fatimja kishte blerë edhe një apartament 1+1 në vendin e quajtur Dolce Vita në Durrës. Këtë apartament më vonë e kishte shitur, por nuk mbante mend as çmimin e blerjes dhe as atë të shitjes. Në lidhje me apartamentet që ajo kishte blerë nga kompania Bjorn shpk, Fatimja deklaron se i kishte blerë këto apartamente me paratë që njerëzit i kishin hedhur për ngushëllim kur i vdiq bashkëshorti. Fatime Kryemadhi deklaron nuk mbante mend se sa lekë i kishte blerë apartamentet por mbante mend se likuidimin e kishte bërë nëpërmjet bankës. Fatime Kryemadhi deklaron se nga paratë që njerëzit i kishin dhënë për ngushëllim ishin mbledhur rreth 100 milionë lekë të vjetra, dhe apartamentet që bleu me këto të ardhura i shkëmbeu më vonë me apartamentin ku banonte Lefteri Haxhiu, te pallati i Fratarit në ish Bllok, ku jetonte me Monikën. E pyetur se çfarë toke i kishte shitur shtetasit Gentjan Sula, për vlerën 246.000 USD, fakt ky i deklaruar në bankën ku kishte depozituar paratë, Fatime…”, thuhet në dosjen e SPAK-ut, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE