
Dal?n detaje të reja nga ngjarja e rëndë e regjistruar në Pogradec, ku një 37-vjeçare shtatzënë ka humbur jetën gjatë transportit drejt Tiranës.
Sipas burimeve nga Materniteti i Pogradecit, gruaja është paraqitur në orët e para të mëngjesit me dhimbje të forta në abdomen dhe shqetësime shëndetësore.
Pas ekzaminimeve, mjekët kanë konstatuar një gjendje të rënduar, të përshkruar si “bark kirurgjikal”. 37-vjeçarja është reanimuar dhe, për shkak të gjendjes së saj, i është dhënë edhe gjak.
Pasi u vlerësua nga mjekët dhe u konsiderua e transportueshme, u vendos që gruaja të dërgohej drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Por gjendja e saj është përkeqësuar gjatë rrugës dhe 37-vjeçarja ka ndërruar jetë përpara se të mbërrinte në Tiranë.
Shkaqet e sakta që çuan në përkeqësimin e gjendjes dhe vdekjen e saj pritet të përcaktohen përmes ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe veprimeve të mëtejshme procedurale.
