
Skandali shpërthen, qeveria privatizon tenderët e kujdesit shëndetësor, Salianji ngre alarmin dhe tregon se si Rama po përpin paratë e shqiptarëve përmes skemës KAYO.
Lakmia e fitimeve abuzive dhe monopoleve plaçkitëse, të cilat janë instaluar me ligj, nuk kursen as të sëmurët.
Qeveria shqiptare ka përgatitur një projektligj, i cili praktikisht i transferon të gjitha tenderët e kujdesit shëndetësor në duar private, duke krijuar një monopol monstruoz ekstraligjor dhe në kundërshtim të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian.
Kali i Trojës që privatizon tenderët e kujdesit shëndetësor do të jetë një shoqëri aksionare publike, e cila replikon modelin famëkeq Kayo në sektorin e shëndetësisë në një mënyrë identike. “Objekti i aktivitetit të kompanisë shtetërore është të përmbushë nevojat e institucioneve publike të kujdesit shëndetësor për ilaçe, pajisje mjekësore, produkte të tjera shëndetësore, mallra dhe shërbime mbështetëse, me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë së furnizimit, përdorimin efikas dhe ekonomik të fondeve publike, si dhe sigurimin e cilësisë dhe disponueshmërisë së produkteve të furnizuara”, thuhet në draft.
Por djalli fshihet në detaje. Kompania publike nuk do t'i furnizojë spitalet vetëm me ilaçe dhe pajisje mjekësore, por përmes krijimit të kompanive të përbashkëta me kompani private. “Për të arritur objektin e saj, kompania krijon kompani të tjera ose merr pjesë në kapitalin e kompanive të tjera tregtare, publike ose private, objekti i të cilave është prodhimi dhe/ose tregtimi i ilaçeve, pajisjeve mjekësore, produkteve të tjera shëndetësore dhe kryerja e aktiviteteve të lidhura me to”, thuhet në draft.
Pra, një kompani e përbashkët midis një shoqërie aksionare shtetërore dhe një personi privat do të ketë monopolin absolut të blerjes së ilaçeve, pajisjeve mjekësore dhe një pjese të madhe prej qindra miliona eurosh prokurimesh shëndetësore, njësoj si Timak Defence, e cila ka ekskluzivitetin e furnizimit të ushtrisë me automjete dhe armë. Përmes këtij mekanizmi, qeveria praktikisht eliminon konkurrencën në tenderët e shëndetësisë duke privatizuar de facto buxhetin e njërit prej sektorëve më jetikë për mirëqenien e përgjithshme.
Pra, tani nuk do të ketë më tendera ku kompanitë konkurrojnë me njëra-tjetrën për të ulur çmimet, por të gjitha ilaçet dhe pajisjet spitalore do të blihen nga monopolisti publik-privat, i cili do t'ia shesë shtetit nga pozicioni i shitësit të vetëm ekskluziv. Vendosja e kujdesit shëndetësor nën kontrollin e një monopoli privat është çmenduri në kundërshtim të plotë, jo vetëm me kuadrin ligjor vendas, por edhe me direktivat e Bashkimit Evropian, pikërisht në një kohë kur qeveria po trumbeton hapjen dhe mbylljen e kapitujve. Profesoresha e Kembrixhit, Evis Sala, dhe shefja e saj duhet t'u shpjegojnë shqiptarëve nga cili vend i Bashkimit Evropian e morën këtë model dhe cila qeveri e BE-së ka guxuar të privatizojë buxhetin publik të kujdesit shëndetësor.
“Kapitali.al” konsultoi legjislacionin e vendeve të BE-së dhe asnjëra prej tyre nuk ka një model të ngjashëm. Ky model është përdorur në dy ose tre raste në vendet e botës së tretë, përfshirë edhe në njërën nga republikat e ish-Bashkimit Sovjetik. Por edhe kjo e fundit e hoqi atë për shkak të abuzimeve të mëdha. Tani qeveria shqiptare synon t’u vendosë një monopol vetëm shqiptarëve në mënyrë që klienti i parazgjedhur të transferojë në llogaritë e tyre private paratë që duhej të ishin përdorur për të trajtuar të sëmurët. Nëse ky draft miratohet, vite më vonë shqiptarët do të zbulojnë kështjella të tjera në Evropë, këtë herë të blera me paratë e të sëmurëve që ndodhen në spitalet publike. Ky është një film që shqiptarët e kanë parë dhe ndoshta do ta shohin përsëri. Fatkeqësisht për ta, ata që duhej të ishin trajtuar në Spitalin 5 janë në pozicionet më të larta vendimmarrëse.

Salianji reagon
Ndërkohë, ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji dje hodhi akuza ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama në lidhje me tenderat e shëndetësisë, duke denoncuar se mazhoranca po përgatit një ligj që do t'i transferojë tenderët e këtij sektori në një strukturë të vetme. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji e ka përshkruar këtë si një "KAYO 2 në shëndetësi", duke iu referuar kompanisë shtetërore KAYO, të krijuar për të prodhuar pajisje ushtarake, ndërsa akuzon qeverinë se po e kalon kontrollin e fondeve publike te "një grusht klientësh". "A po e merr Roni kontrollin e plotë të çdo qindarke të shëndetësisë?", shkruan Salianji, duke iu referuar biznesmenit izraelit Ron Yeffet, aksioner i kompanisë shtetërore "KAYO". Ai deklaroi se qytetarët shqiptarë paguajnë taksa për spitale funksionale, ilaçe dhe shërbim cilësor, jo për skema që, sipas tij, bëhen për favorizim dhe pasurim korruptiv. "KAYO 2 në shëndetësi, qeveria po privatizon tenderët!
A po e merr Roni kontrollin e plotë të çdo qindarke të kujdesit shëndetësor? Rama po përgatitet t’i lërë ligjërisht tenderët për të gjithë sektorin e kujdesit shëndetësor në një dorë të vetme, ndërsa shteti heq dorë dhe kompanitë private të krijuara nga superstruktura e ngjashme me KAYO-n marrin kontrollin. Qeveria Rama i urren qytetarët dhe nuk qeveris më për ta, por për të pasuruar një grusht klientësh. Tani edhe fondet e kujdesit shëndetësor po shndërrohen në një biznes për të favorizuar klientë të zgjedhur, duke prekur sektorin më të ndjeshëm: shëndetin dhe jetën e njerëzve. Pasi dështoi të ndërtonte një sistem publik të mirë, pasi çdo koncesion i këtyre viteve përfundoi në SPAK për abuzime prej miliona eurosh, ai tani po zgjedh ta dorëzojë kujdesin shëndetësor në copa dhe duke zhvendosur paratë publike aty ku është politikisht e përshtatshme, te Roni i tij! Shqiptarët paguajnë taksa për të pasur spitale, ilaçe dhe shërbim cilësor funksional, jo për të financuar skema që janë bërë qartësisht për favorizim dhe pasurim korruptiv. “Kujdesi shëndetësor nuk është pronë e Edi Ramës, është e drejtë e qytetarëve. Çdo vendim që prek miliarda lekë të taksapaguesve duhet t’i përgjigjet interesave të pacientëve, jo interesave të qeverisë që kërkon të pasurohet në kurriz të shëndetit të shqiptarëve”, shkroi dje Salinaji, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
