LAJME / E Enjte 16 Korrik 2026, 22:10

Si ta dallojmë djathin natyral nga ai me niseshte? Eksperti zbulon metodat dhe elementët që tregojnë ndryshimin

Si mund ta dallojë një konsumator një djathë cilësor nga një produkt që mund të përmbajë niseshte ose përbërës të tjerë zëvendësues? Kjo ishte tema e diskutimit në emisionin “Mes Drite” në Vizion Plus, ku ishte i ftuar dekani dhe eksperti i sigurisë ushqimore, Kapllan Sulaj.


Eksperti shpjegoi se prania e niseshtesë nuk mund të konfirmohet me siguri vetëm duke parë produktin, por nëpërmjet testeve specifike laboratorike.

“Në fakt, një ekspert mund të konfirmojë madje që djathi ka aditivë të tillë si niseshteja, por janë testet ato që e verifikojnë me saktësi. Testet janë të thjeshta; nëpërmjet treguesve të ndryshimit të ngjyrës, prania e niseshtesë mund të konfirmohet”, tha Sulaj.


Megjithatë, ai theksoi se përdorimi i niseshtesë në djathërat që tregtohen në Shqipëri është reduktuar ndjeshëm vitet e fundit.


“Përdorimi i aditivëve ishte i përhapur në Shqipëri disa vite më parë, por është reduktuar shumë. Nuk besoj se sot subjektet prodhuese ose tregtare kanë djathë me niseshte, sepse është e lehtë për t’u identifikuar”, tha ai.

Çfarë duhet të kontrollojë konsumatori?

Sipas ekspertit, elementi i parë që duhet parë është etiketa e produktit. Djathi cilësor duhet të ketë një përbërje të thjeshtë, me qumësht, fermente bakteriale, maja dhe kripë.

Një tregues tjetër është aroma, e cila ndryshon sipas llojit të qumështit.

“Djathi i dhisë dhe i deles ka aromën karakteristike të llojit, ndërsa djathi i lopës ka më pak erë. Sot gjejmë edhe djathëra me qumësht të përzier dhe kjo nuk është e ndaluar, por duhet të deklarohet në etiketë”, shpjegoi Sulaj.

A është çmimi një tregues i cilësisë?

Eksperti këshillon konsumatorët të jenë të kujdesshëm me produktet që shiten me çmime shumë të ulëta.

“Një djathë me çmim shumë të ulët nuk mund të dalë në treg. Djathi mbetet një produkt i shtrenjtë sepse raporti është 1 me 10; nga 10 litra qumësht lope, merret 1 kilogram djathë.”

Megjithatë, ai theksoi se edhe një çmim i lartë nuk garanton domosdoshmërisht cilësi.

“Çmimet përcaktohen nga tregu dhe konkurrenca. Një çmim i lartë mund të jetë gjithashtu artificial për shkak të abuzimeve në treg, kështu që nuk është gjithmonë një tregues i sigurt i cilësisë.”

Kujdes nga blerjet në rrugë

Sulaj u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin blerjen e djathit në kushte të papërshtatshme.

“Nuk do të sugjeroja kurrë blerjen në rrugë jashtë kushteve higjieno-sanitare dhe zinxhirit të ftohtë. Tregjet ofrojnë kushte më të mira ruajtjeje. Gjithashtu, produktet artizanale që njihen për respektimin e standardeve janë një zgjedhje shumë e mirë.”

Ai shtoi se legjislacioni shqiptar dhe ai i Bashkimit Evropian nuk lejojnë shtimin e niseshtesë në djathë, ndërsa në rastet kur përdoren përbërës të tjerë, si vaji i palmës, ato duhet të deklarohen në etiketë.

Eksperti theksoi se zgjedhja e një produkti me një përbërje të qartë, të ruajtur në kushte të përshtatshme dhe nga prodhues që respektojnë standardet mbetet mënyra më e mirë për të garantuar konsum të sigurt me vlerë ushqyese./vizionplus.tv