LAJME / E Enjte 10 Shtator 2026, 20:08

Humbi jetën 59-vjeçari/ Prokuroria nis procedimin për tragjedinë në Tropojë, dy zyrtarë të bashkisë nën akuzë

Në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr. 390 të vitit 2026, Prokuroria ka kërkuar ndalimin e Ndriçim Gjocajt, 36 vjeç, Drejtor i Shërbimeve Publike, Turizmit dhe Transportit, dhe Gëzim Hasanpapajt, 60 vjeç, teknik i mirëmbajtjes së rrugëve në Bashkinë Tropojë.

Dy zyrtarët, të ndaluar një ditë më parë, dyshohen për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 289 të Kodit Penal.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 8 shtator në rrugën e Dobravës, në zonën e Bujanit, ku katër punonjës të sektorit të shërbimeve të Bashkisë Tropojë po vendosnin në bazament një shtyllë ndriçimi anë rrugës.

Sipas hetimeve të deritanishme, gjatë vendosjes së shtyllës, punonjësit kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur përcjellësit elektrikë, duke përcjellë rrymën te katër punonjësit

Si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike, humbi jetën 59-vjeçari Muhamet Sylisufaj, ndërsa u dëmtuan A.D., I.D. dhe A.A., të cilët u transportuan për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Prokuroria po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive për shkeljet e dyshuara.

Top Channel