LAJME / E Martë 1 Shtator 2026, 15:03

Si e dorëzoi Edi Rama në SPAK Ergys Agasin e AKSH-it, dhe pse e mban fort Engjëll Agaçin e klanit “Aruba”

Arrestimi i Ergys Agasit, pas 8 muajsh në arrati, ishte inskenuar me premtimin e lirimit të shpejtë. Pse Edi Rama vazhdon të mbrojë Engjëll Agaçin; ish-sekretari i Kryeministrisë, i përfshirë në dosjet e landfilleve, koncesioneve rrugore dhe ‘Aruba’-s?

Dy zhvillime kanë bërë përshtypje ditët e fundit, të përfolura si plan i inskenuar mes kryeministrit, drejtorit të Policisë dhe drejtuesve të SPAK-ut e Gjykatës së Posaçme:

1. Arrestimi i Ergys Agasit, pas 8 muajve me masë arresti e në kërkim, por lëvizte e qëndronte publikisht lirshëm me makina, relaksohej në hotele, vila e restorante luksoze e futej në zyra shteti, i paprekur nga policia dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

2. Vendimi i dakordësuar mes SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme, me ndikim të Edi Ramës, për nxjerrjen nga paraburgimit të ish-ministrit Ilir Beqja me masë “Arrest në Shtëpi”, masë e cila së shpejti flitet se do të jetë “Detyrim paraqitje”.

Në të dy rastet, regjisori është Edi Rama, zbatues janë policia e SPAK-u, ndërsa subjekte të drejtësisë janë vartësit dhe shërbëtorët që realizojnë aferat e kryeministrit dhe lidhjet e tij me grupet e krimit.

Edi Rama e dorëzoi Agasin në SPAK, por jo Agaçin e klanit “Aruba”

Lajmi zyrtar për arrestimin e Ergys Agasit ishte ky: zbulim i strehës ku fshihej dhe gjurmim prej 2 javësh nga agjentët e BKH-së dhe bashkëveprimi i tyre në aksion me policinë.

Por burime të “Pamfletit” brenda policisë e BKH-së thonë se arrestimi i “Koordinatorit” Ergys Agasi ishte skenar vetëdorëzimi, pas kalkulimeve dhe dakordësisë me Edi Ramën, ndërsa policia dhe SPAK ishin gati për të skenarizuar, filmuar dhe transmetuar publikisht “telenovelën” e arrestimit.

Pas 8 muaj arrati të lejuar, me qëllim zbehjen e çështjes, Edi Rama e dorëzoi “Koordinatorin” Ergys Agasi në SPAK, me premtimin se do të qëndrojë pak kohë në paraburgim dhe do të lirohet “i pastër”.

Por Edi Rama nuk po dorëzon në SPAK (ish)Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, “monstrën” që ka sekserizuar, menaxhuar dhe certifikuar ligjërisht të gjitha aferat ekonomiko-financiare e pronësore me miliarda euro gjatë 13 viteve pushtet “Rilindje”.

Përveç dosjes së landfilleve, Ëngjëll Agaçi është në dosjen “Aruba”, si përfaqësues i kryeministrit Edi Rama në këtë strukturë mafioze të trafikut të drogës, grabitjes së tokave në bregdet dhe pastrimit të parave me ndërtime luksoze kullash, hotele, qendra tregtare e resorte në Shqipëri.

As Edi Rama nuk po dorëzon në SPAK Ëngjëll Agaçin, por as SPAK nuk po e arreston, megjithëse për të ka dosjen e landfilleve, dosjen e Portit Detar të Durrësit, dosjet koncesionare të rrugëve “Thumanë-Kashar”, “Milot-Balldren”, “Rruga e Arbërit” dhe tashmë dosjen “Aruba”, mosveprim që krijon dyshime se është marrëveshje e Edi Ramës me shefat e SPAK-ut.

Pabesia e Edi Ramës ndaj disa bashkëpunëtorëve në afera

Jo vetëm rasti i Ergys Agasit dhe Ilir Beqjes, por shumë raste ministrash, deputetësh, drejtorësh, kryebashkiakësh e trafikantësh pjesë e klanit kryeministror kanë përfunduar në prangat e SPAK-ut, pasi kanë besuar djallëzinë e Edi Ramës.

Atyre me të cilët ka bërë aferat, Edi Rama u ka ofruar këtë skenar: “Dorëhiqu, arratisu, bëj dorëzim të kontrolluar në polici, qëndro në paraburgim dhe do të të nxjerrim e do të dënohesh me kohën e paraburgimit, me shërbim prove, ose me disa orë pune në komunitet e pa konfiskim pasurie.”

Ata që e besuan, janë mbajtur shumë kohë në paraburgim dhe janë liruar, duke ua servirur si “nder” nga Edi Rama që i çoi në qeli, duke i prerë në besë; siç është rasti i Saimir Tahirit, Ilir Beqjes, Alqi Bllakos e Lefter Kokës, për të cilin vëllai i tij Leonard Koka deklaroi se vetëdorëzimin e këshilloi Edi Rama./Pamfleti