
Një çift shqiptarësh nga Maqedonia e Veriut, të cilët prej vitesh jetojnë në Rimini të Italisë, janë denoncuar në polici nga vajza e tyre dhe i dashuri i saj, pas kërcënimeve të shumta që kishin marrë.
Sipas mediave italiane, çifti shqiptar, babai 44 vjeç dhe nëna 47 vjeçe, nuk kanë qenë aspak dakord me lidhjen e vajzës së tyre 20-vjeçare.
Prindërit shqiptarë kanë kundërshtuar lidhjen e vajzës së tyre, pasi djali i përket një komuniteti jomysliman.
Pas kundërshtive të forta të familjes, vajza u largua përfundimisht, duke nisur një jetë me të dashurin e saj, por pikërisht në këtë moment filloi edhe kalvari i presionit dhe kërcënimeve nga ana e prindërve.
Mediat raportojnë se prindërit nuk e dinin adresën ku jetonte i riu, ndaj nisën të kërkonin informacione përmes të njohurve dhe bashkatdhetarëve, derisa arritën të zbulonin vendndodhjen e çiftit.
Më pas, sipas denoncimit, nisi presioni i përditshëm, me mesazhe ku vajzës i kërkohej të kthehej në shtëpi dhe ku dyshohet se bëheshin kërcënime konkrete.
Në një prej mesazheve thuhej: “Mund të të gjej edhe nëse shkon në hënë, sepse familjet shqiptare janë të gjitha të bashkuara.”
Në një tjetër mesazh, vajza paralajmërohej: “Nëse nuk kthehesh në shtëpi, do të kesh një jetë ferri.”
Përballë këtyre kërcënimeve, çifti vendosi t’u drejtohej autoriteteve. Çifti i të rinjve bëri fillimisht një denoncim në polici në Rimini. Më pas, ata iu drejtuan sërish autoriteteve pas një episodi që e konsideruan veçanërisht shqetësues.
Një nga episodet më të rënda ndodhi në maj të vitit 2026.
Sipas akuzës, dy prindërit u gjetën brenda banesës ku jetonin dy të rinjtë, pasi kishin hyrë pa leje dhe dyshohet se ishin të gatshëm t’i sulmonin fizikisht.
Vetëm arratisja e shpejtë e çiftit në një dhomë, të cilën e mbyllën me çelës, dhe telefonata drejtuar policisë shmangën një përplasje të dhunshme.
Pas denoncimit të ri, detajet e çështjes u përfshinë në dosjen hetimore dhe prokurori Davide Ercolani i Prokurorisë së Riminisë vendosi të procedojë ndaj dy prindërve.
Ata tashmë përballen, në gjendje të lirë, me akuzat për përndjekje dhe kërcënime.
