LAJME / E Hënë 31 Gusht 2026, 23:11

Sherr për ushqimin, i riu i merr jetën kushëririn, i tha se në pjatën e tij i kishte bërë një

Një debat i nisur për një pjatë enchilada përfundoi me një viktimë dhe arrestimin e një 22-vjeçari në Albuquerque, New Mexico.

Ervin Joaquin Gutierrez akuzohet se ka qëlluar për vdekje kushëririn e tij, 25-vjeçarin Nathaniel Cavazos, pas një konflikti që nisi gjatë një darke ku tre kushërinjtë po konsumonin alkool.

Sipas autoriteteve, Gutierrez kishte shkuar për vizitë në apartamentin ku ndodhej Cavazos. Të rinjtë kishin blerë ushqime dhe po përgatisnin enchilada me chile jeshile, kur një diskutim mbi ushqimin u përshkallëzua.

22-vjeçari pretendonte se salca pikante në tortillan e tij ishte shumë më e fortë se ajo në pjatën e kushëririt. Ai madje e sfidoi Cavazos ta provonte, ndërsa ky i fundit i tha se të gjithë kishin përdorur të njëjtat tortilla.

Situata u tensionua dhe, në përpjekje për ta shmangur përplasjen, kushëriri i tretë propozoi që të dilnin jashtë për të shëtitur qenin.

Por konflikti vazhdoi edhe jashtë apartamentit. Sipas dëshmisë së kushëririt të tretë, Cavazos e goditi disa herë Gutierrezin dhe më pas u largua nga vendi i përleshjes.

Në këtë moment, hetuesit dyshojnë se 22-vjeçari nxori një armë dhe qëlloi disa herë drejt kushëririt. Para të shtënave, ai raportohet t’i ketë thënë: “Jemi familje! Jemi familje! Si mund të ma bësh këtë?”.

Policia mbërriti në kompleks rreth orës 23:00 dhe gjeti Cavazos të pajetë në një shteg mes ndërtesave. Pranë trupit u gjet edhe një armë zjarri, e cila sipas autoriteteve i përkiste viktimës.

Pas të shtënave, Gutierrez u largua nga vendngjarja. Hetuesit zbuluan më vonë një mesazh të dërguar prej tij në Snapchat, ku 22-vjeçari pretendonte se kishte vepruar pasi ishte kërcënuar me vdekje.

“Nuk doja ta vrisja, por nuk doja që ai të më vriste mua”, dyshohet se kishte shkruar ai.

Gutierrez u arrestua të premten në mbrëmje dhe u dërgua në qendrën e paraburgimit të Bernalillo County. Ai përballet me akuzën për vrasje, ndërsa hetimet për rrethanat e plota të ngjarjes vijojnë.