LAJME / E Hënë 4 Nëntor 2024, 16:04

Shtohet qarkullimi i makinave në Shqipëri, vetëm në Tiranë

Numri i makinave që hynë çdo ditë në vendin tonë po rritet ndjeshëm. Vetëm këtë vit, deri në muajin shtator janë importuar 76 mijë mjete, ose mesatarisht 284 në ditë.

Çdo ditë në vendin tonë hyjnë 284 makina, të cilat regjistrohen për t’u shitur më pas në treg.

Kjo është mesatarja ditore, e cila tregon se nga janari deri në shtator kanë hyrë në vendin tonë më shumë se 76500 mjete, po aq sa kanë hyrë për gjithë vitin 2023.

Oferta në treg duket të jetë e lartë, teksa në rrugët kombëtare dhe qendrat e mëdha urbane, trafiku është shtuar dhe mundësitë për të gjetur një vend qëndrimi po kufizohen ndjeshëm.

Koreja e Jugut, Italia dhe Gjermania janë vendet nga po importohen shumica e këtyre mjeteve. Vetëm nga këto shtete janë sjellë rreth 55% e totalit.

Sipas llojit, janë 96 marka  që kanë hyrë këtë periudhë, por dominojnë Volksavageni, Mercedesi dhe Audi të cilat përbëjnë 54 % të gjithë flotës.

80% e makinave që kanë ardhur  këtë vit janë prodhuar para vitit 2015, çka tregon se pjesa dërrmuese e blerësve do të ngasin një mjet me kilometrazh më të lartë se 100 mijë km.

Rreth 40% e makinave porositen nga Tirana, aty ku numri i makinave aktive të regjistruara ka arritur 320 mijë, ndërsa në të gjithë vendin, ky numër është 915 mijë, e që në raport popullsie rezulton 1 makinë për 3 banorë.