LAJME / E Enjte 24 Shtator 2026, 17:05

Shtirej si gjinekolog, 44-vjeçari u kërkonte grave foto dhe video intime, “viktimat” të moshave 20-40 vjeç

Një 44-vjeçar është dërguar në gjyq nga Gjykata e Leçes në Itali, pasi akuzohet se është shtirur si gjinekolog dhe u ka kërkuar dhjetëra grave fotografi dhe video intime.
Sipas hetimeve, ngjarjet kanë ndodhur mes korrikut dhe tetorit të vitit 2021, ndërsa në rast janë përfshirë 18 gra, të moshave 20 deri në 40 vjeç, shumica prej tyre me banim në Leçe.

I dyshuari akuzohet për tentativë dhune seksuale, marrje të paligjshme të të dhënave personale dhe uzurpim të funksioneve publike.

Hetimi nisi pas denoncimit të një studenteje 24-vjeçare nga Leçe. Sipas hetuesve, 44-vjeçari kishte siguruar të dhëna shëndetësore të grave dhe më pas i kishte kontaktuar në telefon, duke u prezantuar rrejshëm si gjinekolog i një strukture spitalore ku ato kishin kryer më parë analiza dhe ekzaminime.

Më pas, ai dyshohet se u komunikonte diagnoza të rreme dhe u kërkonte të dërgonin fotografi intime, me pretendimin se ato nevojiteshin për ekzaminime të mëtejshme.

Në disa raste, sipas akuzës, 44-vjeçari u sugjeronte grave edhe një “terapi” që përfshinte veprime intime para kamerës së kompjuterit, ndërsa u kërkonte informacione të detajuara rreth jetës së tyre seksuale.

Hetimet zbuluan se i dyshuari kishte arritur të siguronte dhjetëra materiale intime nga viktimat e tij të pretenduara.

44-vjeçari ndodhet aktualisht në paraburgim, ndërsa procesi gjyqësor pritet të vijojë. Sipas autoriteteve italiane, ai kishte pasur edhe më herët probleme me drejtësinë për raste të ngjashme. Në vitin 2012, ai ishte arrestuar pas një hetimi të Policisë Postare dhe më vonë ishte dënuar nga Gjykata e Bolonjës.