
Detaje të reja nga dosja hetimore e SPAK kanë hedhur dritë mbi natyrën e komunikimeve mes biznesmenit Ergys Agasi dhe ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Mes materialeve të bëra publike ndodhen edhe biseda ku Hyseni, sipas dosjes, e këshillon Agasin të mos përdorë një prej numrave të tij të telefonit, duke lënë të kuptohet se ai mund të ishte nën vëzhgim.
“Shpirt mos e përdor atë numrin tjetër sonte se çunat ia kanë çu veshin. Flej rehat. Të du!”, citohet mesazhi që Hyseni i ka dërguar Agasit.
Biseda vijon me një pyetje të Agasit lidhur me sigurinë e disa personave të cilëve ai u referohet si “djemtë e mi”.
“Shpirt, a ka naj rrezik për djemtë e mi sonte?”, citohet të ketë pyetur ai.
Sipas materialeve të publikuara, përgjigjja e Hysenit ka qenë: “Flej rehat zemër, krejt radarët e shtetit i mbyll për ty”.
Këto komunikime janë bërë publike në një kohë kur Hyseni ndodhet në fokus të hetimeve. Katër ditë përpara se t’i komunikohej masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ish-drejtuesja e SHISH ishte marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme si person në dijeni për raportet e saj me Agasin.
Gjatë dëshmisë, Hyseni kishte pranuar se kishte pasur kontakte me biznesmenin, por i kishte lidhur ato me funksionin që mbante. Mesazhet e publikuara më pas paraqesin, megjithatë, një komunikim me tone personale mes tyre, çka është bërë pjesë e materialeve të hetimit.
Agasi u arrestua më 26 gusht në kuadër të hetimeve për çështjen e AKSHI-t.
Sipas të dhënave të dosjes të bëra publike, në një seancë gjyqësore Agasi ka deklaruar se dokumentet i kishte lënë qëllimisht në automjet, me synimin që ato të gjendeshin nga hetuesit e SPAK.
Komunikimet e administruara nga telefonat e Agasit dhe Hysenit, që përfshijnë periudhën nga fundi i qershorit deri në arrestimin e biznesmenit më 26 gusht, janë tashmë pjesë e provave që po shqyrtohen nga organet e drejtësisë. Përmbajtja e tyre tregon një komunikim më personal sesa një marrëdhënie e kufizuar vetëm në formulime zyrtare apo profesionale.
