LAJME / E Martë 21 Mars 2023, 19:07

Shoferi i furgonit nga Bari u shpërndan pasagjerëve 34 mijë euro për t'i futur në Shqipëri, kapet në portin e Durrësit

Një 38-vjeçar është arrestuar sot në Portin e Durrësit pasi në fugonin e tij që vinte nga bari u gjetën 34 mijë euro të padeklaruara që ai i kishte shpërndarë tek 4 pasagjerët.

Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, bazuar në analizën e riskut, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë intensifikuar kontrollet me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare. Në vijim të këtyre kontrolleve, në kuadër të operacionit policor të koduar “Pjesëtimi”, shërbimet e Policisë kaluan në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjetin (furgon) e linjës “Bari-Durrës”, me drejtues shtetasin J. Z.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 34 000 euro të cilat shtetasi J. Z. ua kishte ndarë 4 pasagjerëve në furgonin e tij, me qëllim futjen në vendin tonë, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi J. Z., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.