LAJME / E Enjte 30 Nëntor 2023, 16:04

“Shkolla më hodhi në rrugë”, pediatrja ndan historinë nga burgu: Nuk e harroj kurrë...

Një ndikim të fortë në rritjen e përqendrimit të fëmijës luan roli i mësuesit. Ky i fundit duhet të jetë i kujdesshëm në gjuhën që përdor për të bërë vërejtjet e tij dhe duhet të gjejë forma të buta të cilat synojnë ta inkurajojnë fëmijën.

Pediatrja Lira Gjika thotë në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se fëmijët, edhe ata që duket se kanë rezultate më të dobëta, përpiqen. Nga eksperienca e saj profesionale në burgje, ajo ka gjetur raste që shpresonin për një të ardhme më të mirë, por ka qenë shkolla ajo që i ka përzënë.

Lira Gjika: Shkolla është vendi ku nuk turpërohesh nga dështimi.

Katerina Trungu: Ne e kemi pak të kundërt si metodë.

Lira Gjika: Shkolla është vendi ku ti dështon dhe nuk turpërohesh se të thotë ai pikërisht dështimet të ndihmojnë, t’i përdorim pozitivisht, ti prandaj je këtu, po mëson.

Katerina Trungu: Dështime kur ka përpjekje paralelisht.

Lira Gjika: Të tërë përpiqen.

Katerina Trungu: Jo kur ka neglizhencë.

Lira Gjika: Nuk ka nxënës, nuk ka fëmijë që nuk dëshiron dhe këtë unë, kur punoja me burgjet ma kanë thënë të tërë, të burgosur dhe jo të burgosur. Ëndrra e të gjithëve ishte që të shkëlqenin në shkollë, të bëheshin dikushi dhe shkolla, ma kanë thënë jo një e dy të burgosur, por disa.

Agida Koçi: Por ndoshta kanë reflektuar.

Lira Gjika: Jo, jo, jo. “Shkolla në përzuri, na mbylli derën”, ma ka thënë një djalë e s’më harrohet dhe më tha “shkolla më ka mbyllur derën, më hodhi në rrugë se tha je rrugaç kur unë duhet të ecja kaq orë”… shkolla duhet ta zbusë, t’i mësojë njerëzoren, ta bësh të mendojë./tvklan.al