
Deputeti Agron Shehaj nuk e ka fshehur asnjëherë që është i pasur. Hyri në Parlament për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2017 si deputet i Partisë Demokratike nga fusha e biznesit dhe aktualisht është ligjvënës dhe kryetar i partisë “Mundësia”.
Ai është tipiku, por natyrisht jo i vetmi, që karakterizohet nga një lloj hipokrizie politike. Një person i pasur, në rendin e miliona eurove, që kërkon mbështetjen dhe votat e qytetarëve që paguhen me ndihmë sociale ose të ardhura minimale 300 deri në 500 euro. Por a e kupton dikush që posedon miliona euro pasuri dikê që mezi mbyll muajin me bukë!?
Së fundmi, Agron Shehaj është vendosur në vorbullën e ngritur nga eksponentë të Partisë Socialiste në pushtet. Në qendër të debatit është një transaksion që ai ka kryer me një vilë banimi në Itali.
Drejtuesit e pushtetit dhe mekanizmat e tyre propagandistikë kanë marrë në analizë deklaratat e pasurisë së Agron Shehaj. Në vitin 2021, ai ka deklaruar ndër të tjera se ka blerë një vilë në zonën turistike të “Forte dei Marmi”, në rajonin e Toskanës, në Itali, për 2.9 milionë euro.
Vetëm katër vjet më pas, Shehaj deklaron se e ka shitur këtë pasuri në shumën 15 milionë euro, ose 5 herë më shumë.
Në logjikën ekonomike ka diçka që nuk shkon. Por, gjithësesi, janë institucionet përkatëse ato që do t’i vendosin vulën nëse veprimet e tij janë të rregullta apo jo.
Ndërkohë, në këtë debat, Agron Shehaj ka gjetur mënyrën më jo-normale për të dhënë sqarimet e tij publike.
“Kam shitur një vilë. Është një vilë në një zonë shumë të preferuar në Itali dhe gjithçka është brenda rregullave”, deklaroi Shehaj në një postim në rrjetet sociale.
Pra, ka shitur “thjesht një vilë” 15 milionë euro, u justifikua ai për qytetarët, për ata që i kërkon votën dhe që nuk mbyllin dot muajin.
Nëse nuk është shkelje ligjore, “shitja e vilës” është, as më shumë e as më pak se sa një hipokrizi, një tallje për ata që u kërkon mbështetjen politike./ Boldnews.al
