Një 32-vjeçar është arrestuar këtë të premte nga policia e Beratit. I riu shfrytëzonte një 36-vjeçare, për prostitucion në Berat dhe në Lushnjë.
Në pranga ka rënë gjithashtu edhe shtetasja që ushtronte prostitucion.
Sipas njoftimit zyrtar, 32-vjeçari rezultonte i dënuar më parë, për shfrytëzimin e të njëjtës shtetase, për prostitucion në Shqipëri dhe në Greqi.
“Në kuadër të operacionit “Precedenti”, si dhe në zbatim të masës së sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Beratit, përkatësisht për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit “ dhe “Prostitucioni”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. K., 32 vjeç, banues në Berat, gjithashtu në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Memaliaj u kap dhe ndalua shtetasja A. H., 36-vjeçe, banuese në Memaliaj, Tepelenë, për veprën penale “Prostitucioni”.
32-vjeçari akuzohet se ka shfrytëzuar për prostitucion në Berat dhe në Lushnjë, shtetasen A. H.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim. /vizionplus.tv