
Veliaj: Unaza do të përshkohet në 27 minuta
Shumë shpejt në Tiranë do të nisë zbatimi i projektit të linjave të shpejta të transportit publik me autobusë elektrikë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me Ambasadorin e BE në Tiranë, Silvio Gonzato dhe ambasadorin gjerman, Karl Bergner, prezantuan projektin “Transporti i Gjelbër në Tiranë” duke e bërë kryeqytetin, të parin në Ballkan, që zbaton këtë linjë transporti.
“Ky projekt do të transformojë tre linja kryesore në qytet, duke i bërë shumë herë më të shpejta; pra, nga 9 dhe 9.5 km në orë do të shkojmë në 20 km/orë. Sot jemi në një situatë ku do të fillojmë me tre akset kryesore, brenda këtij viti: Aksi i parë është Kinostudio-Kombinat; i dyti Tirana e Re; aksi i tretë është Unaza. Nëse një xhiro e plotë në Unazë sot bëhet për 54 minuta, me linjën e re urbane do të bëhet për 27 minuta”, tha Veliaj.
Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato tha ai i Gjermanisë, Karl Bergner, theksuan se me këtë projekt Tirana do të shndërrohet në një qytet të gjelbër.
“Bashkimi Evropian është shumë krenar që bashkon forcat me Gjermaninë dhe Bashkinë e Tiranës për të ndërtuar rrjetin e ardhshëm të një transporti elektrik me autobus me zero emetime për Tiranën. Falë rrjetit të ri elektrik të autobusëve, sistemi i transportit publik do të jetë më i shpejtë, më i pastër, më tërheqës për qytetarët dhe për rrjedhojë do të ndihmojë në uljen e numrit të makinave në qytet”, tha ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato.
“Jemi të lumtur të mbështesim qytetin për një hap të mëtejshëm. Qytetarët e Tiranës do përfitojnë nga një transport më i shpejtë dhe një mjedis më i pastër. Skuadra gjermane me skuadrën evropiane të BE do punojnë së bashku dhe dua t’i falenderoj të gjithë që e kanë mundësuar”, tha ambasadori gjerman, Karl Bergner.
Veliaj u ndal edhe tek korsitë e biçikletave, për të cilat tha se falë investimeve, shumë banorë po shmangin përdorimin e makinave.
Tv Klan
