
Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëdhëniet e tij me biznesmenin tanimë të arrestuar, Ergys Agasi, gjatë podcastit “Flasim”, duke u shprehur se askush nuk është i autorizuar të flasë apo të kryejë punë të shtetit në emër të tij.
Rama deklaroi se persona të ndryshëm mund të pretendojnë se flasin në emrin e tij, por theksoi se në cilësinë e kryeministrit, nuk ka autorizuar askënd për të ndërmarrë veprime në emër të tij apo të qeverisë.
Sipas Ramës, për shkak të angazhimeve dhe rrethanave të ndryshme, veçanërisht atyre që lidhen me punën, ai është detyruar të krijojë marrëdhënie dhe afërsi me persona të caktuar.
‘’-Një pyetje për Ergys Agasin. Cila është afërsia juaj me të?
Mua më kanë bërë shumë afërsi ose shumë rrëfenja me afërsitë. Afërsia me mua, me një njeri apo tjetrin, nuk është në funksion publik. As fotografia, as raportet personale dhe as pretendimi që flasin në emrin tim. Unë nuk kam autorizuar ndonjëherë njeri të flasë në emrin tim. Unë nuk kam autorizuar njeri të bëjë punët e shtetit në emrin tim.
Patjetër që mua më vjen keq kur gjendem në situatën kur dikush, me të cilin kam pasur një marrëdhënie njerëzore, për një arsye a tjetër, ekspozohet si një njeri që ka probleme me ligjin. Por ama, nga ana tjetër, jam krejtësisht i çliruar dhe pa asnjë problem, përtej keqardhjes, edhe për veten në një farë mënyre, sepse secili atje është përballë ligjit me veten dhe avokatët e vet.
-Juve nuk u thoni asgjë këtyre njerëzve që flasin në emrin tuaj?
Në emrin tim kush nuk flet. T’i hysh kësaj: “Pse fole në emrin tim?”, i bie të mos bësh asnjë punë tjetër. Unë mendoj që njerëzit që më njohin e dinë që në emrin tim nuk flet dot njeri. Ata që nuk më njohin dhe mendojnë se të tjerë flasin në emrin tim, më vjen keq për ta. Por të gjithë duhet ta dinë se në emrin tim unë flas vetë’’, tha kryeministri.
