Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për rrezikim të sigurisë globale pas sulmeve të drejtpërdrejta ndaj tre objekteve bërthamore në Iran.
Në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, tha se SHBA ka vepruar në mënyrë të njëanshme dhe pa respektuar vullnetin e komunitetit ndërkombëtar.
“Me këto veprime, SHBA ka hapur kutinë e Pandorës. Askush nuk e di çfarë katastrofash të reja mund të sjellë,” tha Nebenzia.
Ai theksoi se Uashingtoni, në përkrahje të aleatit izraelit, është gati të injorojë edhe viktimat masive në Gaza, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.
Sulmet ajrore u autorizuan nga Presidenti Donald Trump më 21 qershor dhe synuan tre qendra kyçe të programit bërthamor iranian: Fordow, Natanz dhe Isfahan.
Bombarderët amerikanë B-2 përdorën bomba anti-bunker për të shkatërruar kapacitetet në thellësi të tokës. Sipas SHBA, qëllimi ishte ndalimi i përparimit të programit bërthamor të Iranit dhe garantimi i sigurisë së aleatit të saj, Izraelit.
Por reagimi nga Teherani ka qenë i ashpër. Zëdhënësi i Forcave të Armatosura iraniane paralajmëroi se pasojat për SHBA do të jenë “të rënda, të papritura dhe të dhimbshme.” Ai tha se objektivat e Iranit në rajon janë zgjeruar dhe se “ky veprim do të çojë në përhapje të luftës.”
Gjithashtu, parlamenti iranian ka miratuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për tregtinë globale të naftës dhe gazit, edhe pse vendimi përfundimtar i mbetet udhëheqjes politike të Teheranit, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE