LAJME / E Enjte 30 Nëntor 2023, 16:04

Rreth 620 të dënuar do të përfitojnë nga amnistia! Ministria e Drejtësisë dorëzon projektin

TIRANË- Rreth 620 të dënuar do të përfitojnë nga amnistia, pas versionit përfundimtar të projektligjit për amnistinë penale, shifër kjo e rritur krahasuar më propozimin e pak javëve më parë.

Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar sot versionin përfundimtar në kryeministri ku janë reflektuar sipas ministrin Ulsi Manja rekomandimet e kërkuara nga SPAK, KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme.

"Kemi reflektuar rekomandimet e kërkuara nga SPAK, KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme, duke e bërë një amnisti dhe më të plotë, nga e cila do të përfitojnë 620 të dënuar" – theksoi Ministri Manja.

Përmes kësaj amnistie, përfitojnë dhe përjashtohen nga vuajtja e dënimit, burrat e dënuar me 3 vjet ose më pak, për dënime të dhëna deri më 20 qershor 2023, ndërsa gratë përfitojnë deri në 4 vite dënim. Burrat përjashtohen nga vuajtja e dënimit, kur në datën e hyrjes në fuqi të amnistisë, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet, ndërsa grave 4 vjet. Përfitim kanë gratë që janë 50 vjeç ose mbi këtë moshë, ndërsa për burrat është 65 vjeç.

Nga amnistia do të përfitojnë edhe të miturit apo ata që kanë qenë fiks 18 vjeç në kohën që kanë kryer veprën penale. Ndërkohë, kategoria tjetër e të gjithë personave të dënuar, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u përjashtuar nga vuajtja e dënimit, edhe pse plotësojnë kriteret për përfitimin e amnistisë, nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit për shkak të kritereve ndaluese të përcaktuara, u zbritet dënimi me 1 vit e gjysmë nëse janë gra dhe të mitur, ndërsa 1 vit për të dënuarit burra.