LAJME / E Martë 1 Prill 2025, 15:03

Restorante e markete, kapen 6 subjekte në Vlorë që tregtonin mish pule me salmonelë

Gjatë kontrolleve të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Vlorë, janë evidentuar deri tani 6 subjekte që kanë pasur në ambientet e tyre dhe kanë tregtuar për klientët mish pule të infektuar me salmonelë. Subjektet e identifikuara përfshijnë disa markete, por nuk kanë munguar as restorante, të cilat janë hallka e fundit e konsumit të produkteve për klientët.

Sipas burimeve, nga qyteti i Vlorës është tërhequr një sasi e konsiderueshme e mishit të pulës me salmonelë. Dyshohet se numri i subjekteve, përfshirë marketet, restorantet dhe fast-food-et që kanë tregtuar apo servirur mishin me Salmonelë, mund të jetë edhe më i madh. Këto subjekte përfshijnë kryesisht ato afër shkollave dhe në zonat urbane të qytetit.

Po ashtu, janë marrë masa administrative dhe gjoba për subjektet që kanë shkelur rregullat e sigurisë ushqimore.