Në një letër publikuar nga EUReporter, Shqiponja Veliaj, nëna e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka bërë një apel publik institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare, duke e cilësuar ndalimin e të birit si një “makth kafkian” dhe një shkelje të rëndë të të drejtave themelore.
Veliaj ndodhet në paraburgim prej pesë muajsh, që nga arrestimi i tij në shkurt nga SPAK, nën dyshime për korrupsion – akuza që ai i mohon. Deri më tani, sipas familjes së tij dhe përfaqësuesve ligjorë, nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare dhe nuk janë paraqitur prova konkrete.
Në letrën e saj, nëna e kryebashkiakut e përshkruan situatën si absurde dhe në kundërshtim me vlerat evropiane të shtetit të së drejtës:
“Djali im është mbajtur në izolim pothuajse të plotë, pa asnjë akuzë të ngritur, dhe pa qasje të plotë te mbrojtja e tij ligjore ndërkombëtare. Familja ime u përfshi papritur në një makth kafkian.”
Shqiponja Veliaj vë theksin te mungesa e proporcionalitetit në masat e marra ndaj të birit dhe ngre shqetësimin se kjo nuk është një çështje personale, por simptomë e një problemi më të gjerë sistemik në sistemin e drejtësisë shqiptare.
Ajo përmend rastin e ish-drejtorit të RTSH-së Thoma Gëllçi, për të cilin KEDNJ ka konkluduar se paraburgimi ishte i paligjshëm, si dhe faktin që rreth 60% e të burgosurve në Shqipëri ndodhen në paraburgim, shumë më tepër se mesatarja evropiane.
“Kjo praktikë ‘arresto tani, grumbullo prova më vonë’ po shkatërron jetë dhe karriera. Nëse kjo është fytyra e reformës në drejtësi, atëherë ne kemi devijuar rrugën,” shkruan ajo.
Duke përshëndetur misionin e SPAK dhe rëndësinë e reformës në drejtësi për integrimin e Shqipërisë në BE, ajo thekson se ligji duhet të zbatohet drejt për të gjithë, pa shkelur parimet e procesit të rregullt ligjor dhe të drejtës së mbrojtjes.
Në përfundim të letrës, nëna e Veliajt apelon për reflektim dhe veprim nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare:
“Nuk kërkoj trajtim të veçantë për djalin tim. Kërkoj vetëm që të trajtohet me dinjitet, në përputhje me ligjin, si çdo qytetar tjetër”, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE