LAJME / E Diel 21 Qershor 2026, 20:08

Rama përgatit favorin e dytë për miliarderët e Zvërnecit, “10 vjet pa taksa”

Në kulmin e revoltës kundër projektit të Zvërnecit, kur mijëra qytetarë kanë protestuar për javë të tëra me sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”, qeveria e Ramës po paraqet një propozim që konfirmon shqetësimet e qytetarëve, se kryeministri nuk po e mbron investimin pasi ai do të sjellë zhvillim ekonomik, por se është i interesuar t’i dhurojë një biznes tjetër fitimprurës familjes së Donald Trump.

Projektligji i ri “Për Tatimin mbi Pronën e Paluajtshme” i propozuar nga Ministria e Financave parashikon një kalim nga taksimi bazuar në sipërfaqe në taksimin bazuar në vlerën e tregut të pronës. Vetë qeveria pranon se objektivi është rritja e të ardhurave për bashkitë, nga rreth 0.28% e PBB-së aktualisht, në 0.7 deri në 1% të PBB-së.

Shkurt, qëllimi i këtij projektligji është të mbledhë më shumë para.

Por, ndërsa synon të rrisë të ardhurat nga taksat e pronës, i njëjti projektligj ruan një përjashtim të plotë për një kategori shumë të veçantë biznesi: resortet dhe hotelet me katër dhe pesë yje me status të veçantë dhe markë ndërkombëtare.

Neni 10, pika “ç”, parashikon që këto struktura, së bashku me truallin mbi të cilin janë ndërtuar, përjashtohen nga taksa e pronës për një periudhë prej 10 vitesh.

Dhjetë vjet pa taksa prone.

Është e vështirë të mos e vëresh kohën e këtij përjashtimi. Qeveria po përgatitet të miratojë projekte turistike luksoze në Zvërnec, të lidhura me dhëndrin e Trump, Jared Kushner.

Në teori, qeveria thotë se këto investime do të sjellin përfitime për të gjithë. Vetë Edi Rama e ka mbrojtur disa herë këtë model.

«Resortet luksoze janë ato që sjellin të ardhurat më të larta për ekonominë nga turizmi», deklaroi ai disa ditë më parë.

“1 euro që hyn në një vendpushim luksoz shoqërohet me 1.6 deri në 2 euro që hyjnë në ekonominë lokale të atij vendi”, shtoi kryeministri.

Argumenti është i njohur: investimet e mëdha prodhojnë një efekt të valëzuar. Turistët konsumojnë, bizneset përfitojnë, ekonomia rritet dhe shteti përfiton gjithashtu.

Por këtu lind një paradoks.

Nëse këto investime prodhojnë kaq shumë të ardhura, pse duhet të përjashtohen nga një taksë që po u vendoset qytetarëve të zakonshëm?

Nëse resortet do të sjellin më shumë para në ekonomi, pse shteti po heq dorë nga një pjesë e të ardhurave që mund të mbledhë prej tyre paraprakisht?

Kjo pyetje bëhet edhe më e fortë kur merret parasysh se ky nuk është privilegji i parë që u jepet këtyre investimeve në një zonë ku ndërtimi më parë ishte i pamundur. Për ta bërë të mundur këtë, shumica socialiste ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura, duke i dhënë më shumë hapësirë ??investimeve në kategorinë e peizazheve të mbrojtura.

Shih edhe SHBA tërheq 5,000 trupa nga Gjermania, vjen reagimi i parë i NATO-s
Ky ishte privilegji i parë që u bë për Zvërnecin. Tani po përgatitet privilegji i dytë. Pra, ndërsa qytetarëve u kërkohet të kontribuojnë më shumë përmes taksës së pronës, investitorët më të mëdhenj përfitojnë nga një regjim i veçantë. Pikërisht këtë fakt e ka denoncuar deputetja e opozitës, Jorida Tabaku.

«Pasi e kanë helmuar ekonominë me paratë e korrupsionit dhe krimit. Pasi i kanë ngarkuar familjet shqiptare me taksa dhe koston e jetesës. Pasi i kanë shtyrë qindra mijëra të rinj drejt emigrimit. Sot ata kërkojnë t’u japin privilegje të reja të njëjtëve njerëz që kanë përfituar gjithçka nga ky sistem», shkroi Tabaku.

Ky model qeverisjeje është në zemër të debatit që ka shpërthyer rreth Zvërnecit. Tani është e qartë se protesta nuk ka të bëjë vetëm me një vendpushim apo një investim të vetëm, por me një model ekonomik që diskriminon qytetarët e zakonshëm në favor të biznesmenëve të mëdhenj me lidhje me qeverinë.

Kush përfiton nga modeli ekonomik që po ndërtohet?

Qeveria thotë se përfiton e gjithë shoqëria, por qytetarët në rrugë, ata që kërkojnë një Shqipëri të re, mendojnë ndryshe. Dhe ndërsa revolta vazhdon me thirrjen “Shqipëria nuk është në shitje”, Rama po tregon se jo vetëm që nuk ka ndërmend të ndryshojë kurs, por po e konsolidon më tej atë./Lapsi.al”, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE