LAJME / E Enjte 24 Prill 2025, 15:03

Qeveria shqiptare shpall 26 prillin ditë zie kombëtare në nder të Papa Françeskut

Qeveria shqiptare ka shpallur të shtunën, datë 26 prill 2025, ditë zie kombëtare në nderim të Papa Françeskut, i cili ka ndërruar jetë në moshë 88-vjeçare.

Vendimi është marrë në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit “Për simbolet kombëtare”, me propozim të Kryeministrit Edi Rama dhe është miratuar nga Këshilli i Ministrave.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

1. Shpalljen ditë zie kombëtare ditën e shtunë, datë 26.4.2025, në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje.

2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.

3. Ftohen të gjitha stacionet radiotelevizive, publike dhe private që gjatë ditës së zisë kombëtare të transmetojnë muzikë funebër.

4. Ngarkohen të gjitha institucionet shtetërore dhe publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.