
Janë publikuar pamjet nga kamerat e sigurisë që hedhin dritë mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur të enjten në qendër të Podujevës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbetën të plagosur katër persona.
Pamjet, të publikuara nga Betimi për Drejtësi, tregojnë momentet që i paraprinë incidentit. Sipas tyre, fillimisht personat e përfshirë shihen duke debatuar në bulevard, ndërsa pas një fjalosjeje situata përshkallëzohet dhe përfundon me përdorimin e armëve të zjarrit.
Në video shihet se konflikti verbal zgjat për disa çaste, përpara se njëri nga të përfshirët të nxjerrë armën, çka pasohet nga të shtëna që krijojnë panik te qytetarët e pranishëm në zonë. Personat që ndodheshin aty pranë largohen me shpejtësi për t’u strehuar, ndërsa në vendngjarje krijohet një situatë e tensionuar.
Si pasojë e incidentit, mbetën të plagosur dy vëllezër me inicialet F.Z. dhe F.Z., si dhe daja i tyre, shtetasi me inicialet A.Xh.. Përveç tyre, nga të shtënat u plagos edhe një kalimtar i rastit, i cili, sipas informacioneve të deritanishme, nuk ishte i përfshirë në konflikt.
Të katër të lënduarit u transportuan për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor.
Ndërkohë, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa autoritetet po mbledhin prova dhe dëshmi që do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të incidentit.
Hetimet pritet të përcaktojnë motivin e konfliktit, rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe rrethanat që çuan në përdorimin e armëve të zjarrit në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit.
Pamjet e kamerave të sigurisë tashmë janë pjesë e materialit hetimor dhe pritet të kenë rëndësi në procedurat që do të zhvillohen nga organet e drejtësisë, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
