LAJME / E Hënë 14 Shtator 2026, 14:02

Paguanin për 5G, interneti ishte shumë i dobët; banoret bejne aktin e pazakonte!

Një incident i pazakontë ka ndodhur në Indi, ku zemërimi i banorëve për problemet e vazhdueshme me rrjetin 5G përfundoi në një veprim ekstrem ndaj një tekniku të telekomunikacionit.

Ngjarja u regjistrua në fshatin Hardauli, në distriktin Fatehpur të Uttar Pradesh, ku një teknik i dërguar për të kontrolluar problemet me sinjalin u gjet i lidhur me kabllo në një antenë telefonike celulare.

Punëtori, i identifikuar nga mediat lokale si Aditya Ban Singh, ishte dërguar në zonë pas ankesave të vazhdueshme të banorëve për cilësinë e dobët të rrjetit.

Sipas policisë, banorët ishin të revoltuar pasi, megjithëse paguanin për shërbimet 5G prej më shumë se dy vitesh, në praktikë detyroheshin të përdornin një rrjet 4G të paqëndrueshëm.

Problemi duket se kishte kthyer prej kohësh në shqetësim të madh për komunitetin, ndërsa banorët pretendonin se ankesat e tyre të përsëritura nuk kishin sjellë ndonjë përmirësim të dukshëm të sinjalit.

Kur Singh mbërriti në fshat për të tentuar të zgjidhte problemin, situata doli jashtë kontrollit. Sipas raportimeve lokale, banorët e rrethuan teknikun dhe, në shenjë proteste, e lidhën me kabllo në antenën private të telekomunikacionit.

Incidenti ka tërhequr vëmendje për mënyrën e pazakontë me të cilën banorët zgjodhën të shprehnin pakënaqësinë e tyre, pasi një problem me sinjalin telefonik përfundoi në një përballje të drejtpërdrejtë me punonjësin e dërguar për ta zgjidhur atë.