LAJME / E Hënë 14 Shtator 2026, 10:10

10 lekë më shtrenjtë në vetëm 24 orë! Braçe: Çfarë po ndodh me naftën?

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar për rritjen e çmimit të naftës në 229 lekë për litër, duke kërkuar shpjegime për shtrenjtimin me 10 lekë brenda një dite dhe duke e krahasuar situatën në Shqipëri me vendet fqinje.

Braçe ngre pikëpyetje se përse çmimi është rritur në Shqipëri, ndërkohë që, sipas të dhënave të publikuara prej tij, nuk ka pasur ndryshime të ngjashme në Malin e Zi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Nafta 229 lekë, nuk është thjesht një produkt dhe një çmim. Është rritur që dje me 10 lekë! Cent më cent, është 2.48 euro! Fakt është që secili nga vendet kufitare me ne nuk e ka ndryshuar çmimin as dje, as sot: Mali i Zi ka një çmim prej 1.87 euro, Kosova ka një çmim prej 1.76–1.85 euro, Maqedonia ka një çmim prej 1.64 euro.


Po e përsëris, këto janë çmime që nuk janë ndryshuar dje, as sot! Patjetër që do të pyes: Çfarë po ndodh? Për më tepër që Kosova furnizohet nga të njëjtët shitës që na shesin edhe ne”, shprehet Braçe.

Deputeti socialist kërkon ndërhyrje në dy drejtime. Sipas tij, fillimisht duhet analizuar modeli mbi të cilin funksionon tregu i karburanteve dhe niveli i përqendrimit të furnizimit dhe tregtimit te një numër i kufizuar operatorësh.

Braçe përmend furnizuesin, portin, marrëveshjet tregtare dhe mënyrën e ndarjes së përfitimeve si çështje që, sipas tij, duhet të shqyrtohen nga institucionet përgjegjëse.

“Dy gjëra dua të them dhe po ia them çdo aktori që monitoron tregun, garanton konkurrencën e lirë dhe bën politikën fiskale: E para, një herë të vetme duhet të merreni seriozisht me modelin e tregut.

Kemi përfunduar të kemi vetëm një furnizues-shitës nga i cili nis çmimi, British Petroleum, i shtrenjtë; kemi përfunduar të kemi vetëm një port; kemi vetëm një marrëveshje, deri tani të panjohur, veçanërisht për të parë se si ndahet përfitimi nga blerjet në avancë dhe risku po prej tyre; kemi dy aktivitete: i pari, i depozitimit dhe shitjes ditore në kompanitë shqiptare, dhe i dyti, anije më anije në det, në territorin shqiptar (përsëri marrëveshje e panjohur dhe ndarja e përfitimeve përsëri e tillë); pra, në të gjithë operacionin tregtar kemi vetëm një-dy operatorë!”, shprehet deputeti.


Kërkesa e dytë e Braçes lidhet me barrën fiskale që përfshihet në çmimin përfundimtar të karburantit. Ai kërkon rishikimin e taksave dhe tarifave, duke veçuar taksën e qarkullimit dhe disa tarifa shërbimesh.

“E dyta, është momenti për të parë strukturën e taksave dhe tarifave të futura brenda çmimit të naftës, duke filluar nga ato që nuk kanë lidhje me çmimin, por me taksa e tarifa për të cilat shteti ka institucione që paguhen shtrenjtë; duke nisur nga taksa e qarkullimit, për të vijuar me tarifa shërbimesh pa asnjë lidhje me çmimin. Duhet bërë tani! Duhet të jesh pa sy e mendje për të mos parë e kuptuar që vetëm nga eliminimi i tregtisë dhe kontrabandës me fqinjët, do të fitohet shumë më tepër se sa nga ky çmim”, përfundon Braçe.