
Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, ka reaguar me një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të historianit dhe studiuesit të njohur Prof. Hajredin Isufi, një prej figurave më të spikatura të historiografisë shqiptare dhe studimeve për Çamërinë.
Në reagimin e tij, Leskaj vlerëson kontributin e profesor Isufit, duke e cilësuar humbjen e tij si një boshllëk të madh për botën akademike, studimet historike dhe kujtesën kombëtare shqiptare.
Sipas Leskajt, Prof. Isufi ishte një studiues i palodhur që i kushtoi jetën kërkimit shkencor, dokumentimit të historisë dhe pasurimit të trashëgimisë kombëtare, veçanërisht në çështjen çame.
Dje, datë 7 shtator 2026, u nda nga jeta historiani dhe studiuesi shkencor i mirënjohur, Prof. Hajredin Isufi.
Prof. Hajredin Isufi lindi në fshatin Rrëzanj, Çamëri, më 25 dhjetor 1932. Në vitin 1962 u diplomua në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Histori-Filologjisë. Ka punuar si arsimtar, ndërsa gjatë kësaj kohe, që nga viti 1964, u mor në vijimësi me studime për çështjen kombëtare dhe, në veçanti, për historinë e Çamërisë, për të cilën la pas një pasuri të madhe veprash, faktesh dhe dokumentesh historike.
Ka punuar si bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin e Historisë, Tiranë.
Veprat e tij e jetësojnë çdo ditë Çamërinë, duke e përjetësuar dhe ngritur në lartësinë e idealeve më të larta patriotike çështjen mbarëkombëtare çame.
Botimet e tij me karakter studimor, historik e akademik, të mbështetura në fakte dhe argumente të shëndosha e të dokumentuara, janë ndër të tjera: “Kryengritja e Kurbinit dhe Dom Nikollë Kaçorri”, Studime historike, 1986, nr. 2; “Politika e shtetit grek për dëbimin e popullsisë çame në vitet 1914–1928 dhe qëndresa çame”, Studime historike, 1993 (1–4), Tiranë, 1997; “Aneksimi i dhunshëm i Çamërisë dhe Greqia dhe lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e saj”, bashkëautor me Prof. Dr. Pëllumb Xhufin, Studime historike.
Krahas studimeve dhe librave të botuar, studiuesi, botuesi, historiani dhe akademiku i mirënjohur çam ka botuar një tërësi analizash dhe publikimesh të tjera eseistike, duke pasuruar edhe botën publicistike.
Patriotizmi i tij, i ndërthurur me intelektualizmin akademik, ka qenë një energji e pandërprerë frymëzimi për t’iu përkushtuar me gjithë shpirt çështjes kombëtare, çështjes së të gjithë shqiptarëve, ashtu siç është edhe çështja çame, por edhe përkushtim i palodhur e i vyer ndaj trajtimit akademik dhe studimor të shumë çështjeve të mëdha kombëtare.
Shkrimet e tij për figura të shquara të Rilindjes Kombëtare, artikujt historikë për ngjarje të mëdha kombëtare, ku në thelb qëndrojnë patriotizmi dhe vlerat tona kombëtare, kanë qenë të pandërprera. Ndër to përmendim: “Një këngë të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Drita, Tiranë, 15 mars 1981; “Çamëria, fakte të vërteta dhe të stisura”, Koha Jonë, 13 tetor 2002, replikë me historianin grek Llambros Baliciotis; “Përgjigje greko-amerikanit (Geixh)”, Koha Jonë, 16 dhjetor 2002; “Musa Demi dhe qëndresa çame 1800–1947”, Tiranë, 2002, monografia e tij e parë;
“Çamëria, studime historike-sociologjike”, Tiranë, 2006; “Roli i Nikollë Kaçorrit dhe klerit katolik në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”; “Çështja Çame dhe integrimi evropian”, Tiranë, 2005, bashkëautor.
Historiani i mirënjohur, Hajredin Isufi, në librin “Çamëria, Studime historike-sociologjike, shek. XIII–XX”, është ndër studiuesit që trajtoi me seriozitet, mbështetur në dokumente dhe të dhëna të tjera, marrëdhëniet e myslimanëve me të krishterët në Çamëri, si dhe marrëdhëniet me grekët dhe vllehët.
Lexuesi, në këtë libër, përmes dokumentacionit dhe fotove që e shoqërojnë studimin, gjen një informacion të bollshëm dhe të bazuar mbi problemin e autoktonisë së shqiptarëve të Çamërisë në trojet e tyre historike, marrëdhëniet gjenetike dhe etno-kulturore mes çamëve të krishterë dhe atyre myslimanë, mbi marrëdhëniet e tyre në jetën e përditshme dhe, veçanërisht, në çastet e vështira të historisë së Çamërisë.
Përgjatë dekadave të punës së tij kërkimore, prof.Hajredin Isufi u shndërrua në një autoritet referues për çështjen çame. Puna e tij e pamatshme kërkimore shkoi përtej retorikës politike, duke u mbështetur në kërkimin e thelluar arkivor, në mbledhjen e dëshmive të gjalla dhe në dokumentimin e saktë të historisë së shqiptarëve të Çamërisë, të dëbimeve, dhunës dhe spastrimit etnik.
Përmes botimeve dhe monografive të tij, ai ndriçoi kontributin e patriotëve të mëdhenj si Abedin Dino, Hasan Tahsini dhe Musa Demi, duke i rikthyer historisë kombëtare dinjitetin e figurave të mohuara apo të mënjanuara.
Trashëgimia e tij shkencore, librat, monografitë dhe dokumentet e grumbulluara gjatë viteve me sakrificë, mbeten një testament i pashlyeshëm për brezat e ardhshëm.
Krahas veprave të tij të botuara, Prof. Hajredin Isufi ishte ende duke punuar edhe për disa vepra të tjera, të cilat besoj se familjarët, miqtë, dashamirësit dhe bashkëpunëtorët e tij do t’i botojnë, duke i dhënë kështu jetë edhe pjesës së fundit të punës së tij të palodhur.
Me profesorin kishim biseduar për të zhvilluar në Vlorë dy promovime të veprave të tij: monografinë për Dom Nikollë Kaçorrin dhe një vepër kushtuar çështjes çame. Këtë dëshirë dhe premtim do ta realizoj në Vlorë, në kujtim të profesorit fisnik çam, Hajredin Isufi.
Me ndarjen e tij nga jeta, historia shqiptare dhe veçanërisht studimet për Çamërinë humbën një studiues të palodhur, një intelektual të përkushtuar dhe një njeri që ia kushtoi jetën kërkimit, dokumentimit dhe pasurimit të kujtesës sonë kombëtare.
I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së Prof. Hajredin Isufit, të afërmve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan.
