
Dy motrave binjake iraniane u janë shkulur flokët dhe u janë thyer kockat në një torturë si ndëshkim për bashkimin në protestat kundër regjimit, në janar.
Është fjala për Taraneh dhe Romina Rahimi, që ishin vetëm 19 vjeçe kur u kapën dhe ende në shkollë të mesme. Ato u rrëmbyen nga shtretërit e tyre nga burra të maskuar, të dërguar nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në mes të natës.
Tani, Taraneh është dënuar me vdekje me varje për pjesëmarrjen e saj në demonstrata, dhe Romina është dënuar me 25 vjet burg.
Pasi u morën, nëna e tyre, Marzieh Nourmohammadi, kaloi katër muaj të dhimbshëm duke u përpjekur me dëshpërim të gjente vajzat e saj.
Dy të rejat ishin të panjohshme në kohën e vizitës së parë të nënës së tyre në burgun Dowlatabad në Isfahan në maj, shkruan “DailyMail”.
Lëkura e kokës së tyre ishte e njollosur nga zvarritja nga flokët, ndërsa fytyrat e tyre dukeshin të mavijosura, sipas një kushëriri me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Taraneh, e cila ka ambicie të drejtojë stallën e saj të kuajve në të ardhmen, thuhet se iu tha se rojet e burgut do t’a përdhunonin Rominën para syve të saj nëse nuk nënshkruante një rrëfim.
Avokatët e tyre raportuan se gjatë gjyqit, vajza deklaroi se çdo rrëfim që bëri ishte bërë nën torturë, ndërsa familja konfirmon se dokumentet nuk zbuluan kurrë ndonjë provë të përfshirjes së tyre në dhunë gjatë demonstratave.
Dokumentet e gjykatës nga gjyqi, në të cilin nëna nuk mundi të merrte pjesë, zbulojnë një ndryshim dramatik në vendimin që familja nuk mund ta shpjegojë: Taraneh u dënua me vdekje, ndërsa Romina do të vuajë 25 vjet burg.
Që kur u dhanë dënimet, asnjë i afërm nuk ka mundur t’i shohë dy vajzat dhe frika kryesore e familjes është ekzekutimi i shpejtë i dënimit me vdekje, pasi në disa raste të fundit regjimi ka ekzekutuar të dënuarit pa respektuar kohën e lejuar për apelime.
Për të raportuar incidentin, kushëriri Masoud Nourmohammadi vendosi ta bënte publike rastin në Guardian, pavarësisht kërcënimeve me vdekje që mori në shtëpinë e tij në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, në Isfahan, nëna e tyre Marzieh vazhdon të presë për të parë përsëri vajzat e saj, duke jetuar me frikë të vazhdueshme se dënimi me varje i Taraneh do të ekzekutohet në çdo moment.
