LAJME / E Martë 8 Shtator 2026, 11:11

Babë e bir përleshen me të riun, ky është 24 vjçari që iu m0r jeta para syve të së atit

Personi që shihni në foto është Ylber Luli, 24-vjeçari i cili ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në kryeqendrën e veriut, Shkodër.

I riu humbi jetën pas një konflikti i cili degjeneroi deri në përdorimin e armës së zjarrit dhe mjeteve prerëse, ngjarje e cila u regjistrua rreth orës 05:30 në lagjen “Kongresi i Përmetit”. Sipas të dhënave paraprake të Policisë, gjithçka nisi pas një konflikti për motive të dobëta, ku 25-vjeçari Andri Vulaj dyshohet se qëlloi me armë zjarri ndaj 63-vjeçarit Qamil Luli dhe djalit të tij, 24-vjeçarit Ylber Luli.

Përplasja mes tyre përshkallëzoi në vetëm pak minuta, ndërsa në vijim të konfliktit, babë e bir dyshohet se kanë plagosur me thikë 25 vjeçarin Vulaj. Si pasojë e përleshjes, të tre personat mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 24-vjeçari Ylber Luli nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në spital. Ndërkohë, babai i tij, 63-vjeçari Qamil Luli dhe 25-vjeçari Andri Vulaj morën ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e konfliktit mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat bënë të mundur kapjen dhe shoqërimin e 25-vjeçarit Andri Vulaj. Gjatë veprimeve në vendngjarje, efektivët gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.

Tashmë grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur në mënyrë të plotë dinamikën e ngjarjes, përfshirë shkaqet që çuan në përplasjen mes tre personave. Ndërkohë që mësohet se i riu, Ylber Luli, ishte i angazhuar në sektorin e turizmit në qytet dhe punonte si udhërrëfyes turistik.

“Rreth orës 05:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, Shkodër, dyshohet se, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. V. ka plagosur me armë zjarri shtetasit Q. L., 63 vjeç, dhe Y. L., 24 vjeç (babë e bir), ndërsa këta të fundit dyshohet se kanë plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin A. V., 25 vjeç. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi Y. L., 24 vjeç, ka ndërruar jetë në spital.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit A. V., si dhe gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit, pistoletë, që dyshohet se është përdorur në ngjarje.

Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj”, njoftoi Policia.