
Konsumatorët shqiptarë kanë fuqi blerëse individuale për frymë të barabartë me 48% të mesatares së Bashkimit Evropian dhe të ardhura për frymë të barabarta me 43% të mesatares së Bashkimit Evropian.
Për konsumin sipas fuqisë blerëse, Shqipëria renditet e parafundit në Evropë, duke lënë pas Bosnjën, ndërsa për të ardhurat për frymë është në të njëjtat nivele me Maqedoninë e Veriut dhe përsëri lë pas Bosnjën. (të dhënat për Kosovën mungojnë).
Megjithatë, kur bëhet fjalë për çmimet e ushqimeve, shqiptarët po paguajnë çmime gjithnjë e më të shtrenjta krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian, të matur me fuqinë blerëse.
Të dhënat e fundit të Eurostat, të përpiluara nga Monitor, që pritet të publikohen sot, tregojnë se çmimet e ushqimeve janë për herë të parë rreth 3% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Evropian. Çmimet janë rritur me shpejtësi, nga 85% e mesatares së BE-së në vitin 2022 në 99.6% në vitin 2024, në 102.9% në vitin 2025.
Thënë thjesht, një shportë ushqimore që kushton mesatarisht 100 euro në Bashkimin Evropian kushton rreth 103 euro në Shqipëri, e matur sipas fuqisë blerëse, ndërsa të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë më pak se gjysma e mesatares evropiane.
Treguesi i Eurostat-it nuk i mat çmimet në terma nominalë, por më tepër indeksin e nivelit të çmimeve sipas paritetit të fuqisë blerëse (PPP). Ky tregues krahason se sa kushton e njëjta shportë mallrash dhe shërbimesh në vende të ndryshme, duke eliminuar efektin e kurseve të këmbimit dhe ndryshimet në nivelet e të ardhurave.
Një nivel mbi 100 tregon se çmimet janë më të larta se mesatarja e Bashkimit Evropian, ndërsa një nivel nën 100 tregon se ato janë më të ulëta.
Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku çmimet e ushqimeve kanë tejkaluar mesataren e BE-së.
Në të kundërt, vendet e tjera në rajon mbeten dukshëm nën mesataren evropiane. Serbia renditet e dyta me një indeks prej 96.6, megjithëse çmimet atje janë rritur gjithashtu gradualisht nga 91.5 në vitin 2022.
Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë pothuajse të njëjtin nivel çmimesh, përkatësisht 84.6%, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet vendi më i lirë në rajon me 74.3% të mesatares së BE-së. Mungojnë të dhënat për Kosovën.
Një vit më parë, Shqipëria barazoi indeksin e çmimeve të pijeve joalkoolike me BE-në, ndërsa këtë vit i ka tejkaluar vendet evropiane vetëm në treguesin e ushqimit (i cili në vitin 2024 ishte 99.6%). Duke përfshirë edhe pijet joalkoolike, indeksi në vitin 2025 është 103.8%, nga 101 në vitin 2024.
Dallimi bëhet edhe më i dukshëm kur krahasohet me nivelet e të ardhurave. Ndërsa Shqipëria ka të ardhura për frymë prej 43% të mesatares së Bashkimit Evropian dhe konsum individual prej 48% të mesatares së BE-së, çmimet e ushqimeve janë mbi mesataren evropiane.
Kjo do të thotë që familjet shqiptare duhet të shpenzojnë një pjesë shumë më të madhe të buxhetit të tyre për ushqim krahasuar me qytetarët e vendeve më të pasura evropiane.
Ndërsa qeveria shqiptare ka ambicien ta çojë Shqipërinë në BE sa më shpejt të jetë e mundur, duket se vendi po i afrohet Evropës për sa i përket çmimeve shumë më shpejt sesa për sa i përket të ardhurave. Ky fenomen zvogëlon fuqinë reale blerëse të familjeve dhe është një nga arsyet pse perceptimi i qytetarëve për mirëqenien mbetet dukshëm më negativ sesa sugjerojnë treguesit e rritjes ekonomike.
Edhe pse Shqipëria vazhdon të jetë vendi më bujqësor në Evropë, ku bujqësia kontribuon rreth 15% të ekonomisë, nga 2% që është mesatarja evropiane, ne jemi të detyruar të konsumojmë produkte të shtrenjta të importuara, apo edhe produkte vendase me çmime të larta për shkak të mungesës së konkurrueshmërisë. Vetëm pak muaj më parë, çmimi i domateve në vend u rrit në 400-600 lekë për kg.
Çmimet janë aq të larta sa edhe të huajt ankohen
Shqipëria nuk është e shtrenjtë vetëm për ushqimet e matura sipas fuqisë blerëse, por edhe në çmimet direkte, veçanërisht për produktet në supermarkete. Më parë, studiuesi Ilir Ciko prezantoi disa gjetje paraprake të studimit “Indeksi i Konkurrueshmërisë së Tregut (IKT) për Ballkanin Perëndimor: 2026”.
“Për konsumatorin mesatar shqiptar, rezultatet tregojnë se produktet që ai blen në tregjet evropiane në Shqipëri, të zhveshura nga efekti i ndryshëm i TVSH-së, kushtojnë mesatarisht 83% më shumë se të njëjtat produkte të shitura nga të njëjtat kompani në tregun evropian, ndërsa fuqia e tij blerëse është vetëm 41% e mesatares së BE-së”, tha studimi.
Ankesat për çmimet e larta nuk vijnë vetëm nga konsumatorët vendas. Në forumet e udhëtimit si Reddit, Tripadvisor dhe grupet e turistëve që vizitojnë Shqipërinë, një nga komentet më të shpeshta është se supermarketet në Shqipëri janë më të shtrenjta se sa pritej, madje edhe disa produkte bazë kanë çmime të krahasueshme me ato në vendet e Evropës Perëndimore.
Turistët shpesh theksojnë kontrastin midis të ardhurave të ulëta të vendit dhe çmimeve relativisht të larta të ushqimeve në tregje.
Në TripAdvisor, në temën “Ku mund të blesh ushqim që nuk është i shtrenjtë?”, një vizitor shkruan se supermarketet në Shqipëri janë “shumë të shtrenjta” dhe se ai nuk kishte parë kurrë “çmime kaq absurde”, veçanërisht duke e krahasuar vendin me Maqedoninë e Veriut.
Në një diskutim tjetër në TripAdvisor rreth Tiranës, përdoruesit thonë se çmimet në rrjetet e supermarketeve janë “shumë të larta” dhe “më të larta se jashtë vendit”. Gjithashtu në Reddit, në r/Albania, turistët dhe të huajt që jetojnë përkohësisht në vend ankohen se blerjet bazë në tregje ose dyqane të vogla në Durrës u kanë kushtuar më shumë sesa prisnin.
Në një diskutim të kohëve të fundit në Reddit, një turist që vizitonte Tiranën u ankua se në supermarketet e mëdha një litër qumësht kushton rreth 300 lekë, gjoksi i pulës 1,700 lekë/kg dhe një pako musli prej 500 gramësh mbi 1,000 lekë, çmime që ai i konsideroi “çuditërisht të larta” krahasuar me çmimet në restorante dhe bare.
Ndërsa një turist në Durrës raportoi: “Bleva 2 domate, 1 limon dhe 1 mollë për 3 euro”, duke thënë se çmimet reale rezultuan shumë më të larta se ato që kishte parë në faqet ndërkombëtare të krahasimit të kostos së jetesës./ Monitor, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
