
Pak ditë më parë u publikuan pamjet se si një burrë, 37 vjeç ngacmonte gjimnazistet e shkollës “Jani Nushi” në qytetin e Lushnjes.
Lidhur me këtë ngjarje, sot ka reaguar edhe policia e cila ka marrë dëshmitë e vajzave dhe raporton se ngacmimi seksual ka ndodhur brenda perimetrit të sigurisë së gjimnazit.
I arrestuari është, Besmir Beqiri 37 vjeç nga fshati Rrapëz i Lushnjes. Vajzat që kanë rënë pre e ngacmimit seksual janë të moshës 15 vjeç.
Policia e Lushnjes njoftoi se ‘në vijim të masave të ndërmarra për të parandaluar depërtimin e fenomeneve kriminale, në shkolla, si dhe i bashkëpunimit me të gjitha hallkat e zinxhirit të sigurisë në këto ambiente dhe përreth tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë janë njoftuar se 4 nxënëse të një gjimnazi (secila 15 vjeçe), janë ngacmuar seksualisht, nga i njëjti shtetas, brenda perimetrit të sigurisë të këtij institucioni.
Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe vënë në pranga autorin e dyshuar, shtetasin B. B., 37 vjeç, banues në fshatin Rrapëz, për veprën penale "Ngacmimi seksual".
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit është e vendosur për të zbatuar me rigorozitet masat e përcaktuara në Paketën për Sigurinë në shkolla, duke bashkëpunuar ngushtësisht me oficerët e sigurisë në shkolla, stafet pedagogjike, psikologët, punonjësit socialë dhe me qeveritë e nxënësve.
