
TIRANË – Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi historike marrëveshjen që Kuvendi pritet të ratifikojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF), duke theksuar se ajo përforcon partneritetin strategjik mes dy vendeve dhe rrit kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë.
Gjatë fjalës në Kuvend, Balla tha se marrëveshja me vlerë 302 milionë dollarë amerikanë ka një rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare dhe konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera me aleatin kryesor të vendit.
“Vijmë sot në Kuvend për ratifikimin e një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe SHBA-së, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak të SHBA-së. Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë, me një rëndësi të veçantë për sigurinë e vendit. Është një marrëveshje që konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe aleatit më të madh të vendit, Amerikës,” u shpreh Balla.
Ai kujtoi se vetëm javën e kaluar, përmes një akti normativ, u rritën shpenzimet për mbrojtjen në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa theksoi se objektivi është që ato të arrijnë në 5% të PBB-së.
Sipas Ballës, vendimi për organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë është një vlerësim për Shqipërinë dhe rolin e saj në Aleancë, në një kohë kur NATO po hyn në një fazë të re zhvillimi, të njohur si “NATO 3.0”.
“Shqipëria ka hyrë në një trajektore të re besueshmërie dhe rritjeje të investimeve në mbrojtje. Sot jemi në nivelin 2.6% dhe synojmë të arrijmë në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Shqipëria vlerëson lidershipin dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe të Presidentit Trump, duke mbetur e përkushtuar ndaj përgjegjësive të saj si një aleate e besueshme në NATO,” deklaroi ai.
Balla theksoi se financimi prej 302 milionë dollarësh do të përdoret për modernizimin e Forcave të Armatosura, duke rritur kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe duke forcuar kontributin e Shqipërisë në sigurinë kolektive të Aleancës.
“Shqipëria shihet sot si një aleate e besueshme, një faktor stabiliteti në rajon dhe një kontribuese serioze për sigurinë kolektive. Pikërisht në këtë frymë vjen sot një marrëveshje për ratifikim, me një vlerë prej 302 milionë dollarësh amerikanë. Ky financim do të përdoret për modernizimin e Forcave tona të Armatosura. Sorrat dhe korbat le të vazhdojnë të bërtasin, ndërsa shqiponja, bashkë me flamingot, do të vazhdojnë të punojnë për Shqipërinë”, tha Balla, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
