
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se partia që ai drejton do t’i rikthehet diskutimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja, menjëherë pas përfundimit të procesit të brendshëm zgjedhor në parti.
Në konferencën për media të mbajtur pas rikonfirmimit të tij në krye të LDK-së, Abdixhiku bëri të ditur se nga ky moment hiqet pezullimi i bisedimeve me Vetëvendosjen dhe se partia është e gatshme të vazhdojë dialogun për gjetjen e një zgjidhjeje institucionale.
“Prej këtij momenti, unë heq atë çështjen e pezullimit të diskutimeve dhe LDK-ja është e hapur të diskutojë për çështjen e institucioneve”, deklaroi ai.
Abdixhiku sqaroi se deri më tani mes dy partive është zhvilluar vetëm një takim dhe se në atë takim nuk është diskutuar për ndarjen e posteve shtetërore apo të ministrive.
“Ende nuk kemi mbërritur aty. Siç e dini, kemi pasur vetëm një takim dhe në atë takim nuk janë folur as presidenti, as ndarjet pozicionale. Lajmet e bëra publike për ndarje të ministrive nuk janë të vërteta”, tha kreu i LDK-së.
Ai theksoi se çdo marrëveshje e mundshme duhet të ndërtohet mbi parime dhe jo mbi ndarjen e posteve, duke bërë të qartë se LDK-ja nuk do të pranojë një model qeverisjeje ku të gjitha pozitat kryesore shtetërore kontrollohen nga një subjekt i vetëm politik.
Sipas Abdixhikut, funksionimi demokratik i institucioneve kërkon balancë dhe ndarje të përgjegjësive ndërmjet partnerëve eventualë të koalicionit.
“LDK-ja nuk mund të pranojë asnjë marrëveshje në të cilën nuk sigurojmë demokraci funksionale në Republikën e Kosovës, ku pozitat kryesore shtetërore nuk i takojnë një partie të vetme”, u shpreh ai.
Kreu i LDK-së foli edhe për vendimet e marra në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, duke thënë se orientimi për stabilitet institucional është tashmë një qëndrim zyrtar që duhet të respektohet nga të gjithë deputetët dhe strukturat e LDK-së.
“Për aq sa janë në LDK, duhet dhe do të respektojnë këtë vendim të Kuvendit të LDK-së, përndryshe nuk ka kuptim as demokracia, as organizimi partiak”, deklaroi Abdixhiku.
Duke komentuar rezultatin e votimit në Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ai tha se vazhdimi i mandatit të tij është rezultat i vullnetit të delegatëve të partisë.
“Delegatët tanë, anëtarësia jonë vendosi me votë të lirë dhe të qartë”, u shpreh ai.
Në votimin e zhvilluar në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së, 170 delegatë votuan kundër shkarkimit të Lumir Abdixhikut, 152 votuan pro, ndërsa pesë abstenuan. Me këtë rezultat, Abdixhiku mbeti në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe paralajmëroi vazhdimin e angazhimeve për tejkalimin e ngërçit politik dhe formimin e institucioneve të reja të vendit, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
