LAJME / E Mërkurë 12 Gusht 2026, 18:06

Kodet e takimit Rama- Soros, para qeverisë të re ​

Takimi vjen në prag të ndryshimeve në kabinet dhe rikthen pikëpyetjet mbi ndikimin e rrjetit Soros, raportet e Ramës me familjen Trump dhe fatin e projekteve të Sazanit e Zvërnecit…

Dalja e fotografive të Edi Ramës me Alex Sorosin nga një restorant në Dhërmi nuk duket krejt rastësore. Edhe pse qarqe pranë qeverisë i shpërndanë si fotografi të shkrepura “pa mendje”, të gjithë e dinë se gjatë takimeve të personazheve të këtij niveli në një lokal është shumë e vështirë të fotografosh ose të regjistrosh momente me aparat apo telefon.

Numri i madh i truprojave dhe zyrtarëve që kujdesen për sigurinë krijon të gjitha pengesat që pamjet apo bisedat të mos dalin në publik.

Përjashtim bëjnë rastet kur protagonistët duan vetë t’i shpërndajnë, nën pretekstin se “paparacët i kapën pa mendje”. Kështu duket se ndodhi edhe me fotografinë e fundit të Edi Ramës me djalin e George Sorosit, një nga personazhet më me ndikim në rrjetin e medias liberale dhe të së majtës botërore.

Kreu i qeverisë shqiptare takohet shpesh dhe në raste të posaçme me Alex Sorosin, qoftë në Tiranë, qoftë në vende të tjera. Këto takime kanë përkuar shumë herë me zhvillime të rëndësishme në politikën shqiptare.

Vizita e fundit e Alex Sorosit në Shqipëri ishte ajo e shkurtit 2024, kur ai ndodhej “rastësisht” pranë Piramidës, së bashku me Erion Veliajn, gjatë takimit të këtij të fundit me sekretarin e atëhershëm amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Një takim që, siç rezultoi më pas, nuk e mbrojti Veliajn as nga humbja e karrierës dhe as nga humbja e lirisë.

Një vit më vonë, kryebashkiaku përfundoi në burg, ndërsa marrëdhëniet mes Alex Sorosit dhe Edi Ramës u komplikuan, sidomos pas afrimit të kryeministrit shqiptar me familjen Trump, kundërshtaren politike të familjes Soros.

Megjithatë, Edi Rama dhe Sorosi junior kanë krijuar një traditë të konsoliduar që prej ardhjes së Ramës në pushtet në vitin 2013.

Pas çdo fitoreje zgjedhore, pikërisht në prag të formimit të qeverive të reja të Edi Ramës, Alex Soros ka “mbirë” në Tiranë. Nëse shqyrtohen postimet e tij në rrjetet sociale, kjo përsëritje gjendet e dokumentuar në arkiv. Ajo krijon përshtypjen e një interesi të drejtpërdrejtë të miliarderit amerikan për konfigurimin e kabineteve shqiptare.

Në takimet e mëparshme, vetë Sorosi ka publikuar fotografi me Edi Ramën dhe pamje nga Tirana. Përmes tyre, ai ka përcjellë sinjale për ndikimin e tij në formimin e qeverive shqiptare, sikur rrjeti që përfaqëson të ishte një laborator për ndërtimin e karrierave politike.

Këtë herë, megjithatë, kodet dukeshin ndryshe.

Sorosi vinte pas një periudhe kur rrjete dhe media të afërta me të majtën liberale ndërkombëtare i kishin dhënë mbështetje të gjerë mediatike Revolucionit të Flamingove. Protestat nuk e rrëzuan Edi Ramën, por e dëmtuan rëndë politikisht.

Parë në këtë këndvështrim, shpërndarja e fotografisë mund të ketë synuar të tregojë se Rama po negocion me një prej kundërshtarëve të tij të rinj, por nuk ndihet i kënaqur me këtë takim.

Në fotografi, Sorosi shfaq buzëqeshjen e tij pothuajse digjitale, ndërsa Rama duket i tensionuar ose, së paku, jo i gëzuar.

Pra, kreu i qeverisë po zhvillonte një bisedë të vështirë me mikun e kthyer tashmë në kundërshtar. Megjithatë, si gjithmonë, Alex Soros u shfaq në Shqipëri përpara formimit të një kabineti të ri.

Pikërisht ardhja e tij për të takuar Edi Ramën jep një sinjal të qartë politik. Rama mund të mos bëjë vetëm një makijazh të kabinetit, por të ndryshojë në mënyrë rrënjësore përbërjen e qeverisë.

Si në rastet e mëparshme, Sorosi mund të kërkojë promovimin e njerëzve të lidhur me rrjetin e tij, për t’i përfshirë në spektrin global të ndikimit dhe të interesave politike e ekonomike që ai përfaqëson.

Më 26 gusht, nga Pogradeci, Edi Rama duket se do të projektojë një qeveri pothuajse të re.

Përbërja e saj do të tregojë nëse Rama ka zgjedhur anën e Sorosit dhe, në këtë rast, është prishur me Donald Trumpin. Nëse ndodh kështu, projektet e Zvërnecit dhe Sazanit mund të hyjnë në një fazë tjetër.

Nëse Rama ka refuzuar kërkesat e Alex Sorosit dhe marrëdhënia mes tyre është prishur rëndë, atëherë vjeshta mund të sjellë të shumëpriturin “Revolucion të Tetorit”, shenjat e të cilit po shfaqen çdo ditë e më qartë./Pamfleti, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE