
Vetëm pak kohë pasi familja Berisha ishte rikthyer në shtëpinë e saj në Zveçan dhe kishte nisur punimet për ta bërë përsëri të banueshme, objekti është përfshirë nga zjarri gjatë natës.
Familja thotë se bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti është iniciuar si “Zjarrvënie” dhe se hetimet janë duke vazhduar.
Për ngjarjen ka reaguar Zana Berisha, e cila përmes një postimi në TikTok ka treguar se një pjesë e shtëpisë ka shpëtuar nga zjarri.
Sipas saj, familja nuk ndodhej vazhdimisht në objekt për shkak se shtëpia ishte ende duke u renovuar.
“Mbrëmën e kaluar kanë tentuar me na djeg komplet shtëpinë. Fatmirësisht, një pjesë e madhe e shtëpisë ka shpëtuar. Krejt kjo si pasojë se ne nuk jemi 24 orë këtu”, ka deklaruar Berisha.
Ajo ka thënë se ngjarja nuk do ta zmbrapsë familjen nga synimi për t’u rikthyer dhe për ta rinovuar shtëpinë.
“Kjo nuk do të thotë kurrgjë për ne si familje. Përkundrazi, vetëm sa e forcon bindjen tonë se jemi në rrugën e drejtë. Jemi të lirë, kemi përkrahjen e institucioneve të shtetit tonë dhe do të vazhdojmë”, ka thënë ajo.
Berisha ka shtuar se familja nuk do të tërhiqet pas ngjarjes dhe se punimet në shtëpi do të vazhdojnë.
“Kjo nuk do të thotë se do të tërhiqemi. Do të kthehemi edhe më të fuqishëm se më parë. Shtëpia jonë do të renovohet. Është një ndjenjë shumë e keqe dhe një emocion negativ që sot në mëngjes u zgjuam me një lajm të tillë, por kjo nuk ka për të na ndalur”, ka deklaruar ajo.
Familja Berisha ishte rikthyer në pronën e saj në Zveçan në qershor të këtij viti, pas 28 vitesh largimi. Pas kthimit, familjarët kishin filluar restaurimin e objektit me synimin që shtëpia të bëhej sërish e banueshme.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar intervenimin në vendin e ngjarjes dhe nisjen e hetimeve.
Shefi i Planifikimit në kuadër të Operativës Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Erduan Baliqi, ka bërë të ditur se informacioni për zjarrin është marrë pak pas mesnatës.
“Pas mesnatës, rreth orës 00:10, kemi marrë një informacion nga një banor i asaj lagjeje se një shtëpi është duke u djegur. Shtëpia ka qenë e pabanueshme, nuk ka pasur banorë në të”, ka deklaruar Baliqi.
Sipas tij, Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa zjarri është lokalizuar.
“Në vendin e ngjarjes menjëherë i është përgjigjur policia, po ashtu edhe zjarrfikësit, të cilët e kanë lokalizuar zjarrin. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante dhe, në konsultim me prokurorin kujdestar, rasti është hapur ‘Zjarrvënie’”, ka thënë ai.
Për momentin, Policia nuk ka identifikuar ndonjë person të dyshuar në lidhje me rastin.
“Për momentin nuk kemi ndonjë të dyshuar, mirëpo janë duke u zhvilluar hetimet në lidhje me këtë çështje”, ka deklaruar Baliqi.
Derisa familja pretendon se shtëpisë i është vënë zjarri qëllimisht, motivi dhe autorët eventualë nuk janë përcaktuar ende nga organet e rendit.
Hetimet e Policisë pritet të përcaktojnë rrethanat në të cilat ka shpërthyer zjarri dhe përgjegjësinë eventuale për rastin, ndërsa familja Berisha ka bërë të qartë se synon të vazhdojë renovimin dhe rikthimin në shtëpinë e saj në Zveçan.
