LAJME / E Enjte 17 Shtator 2026, 22:10

Ja kush janë! Të rinjtë nga Fieri aksidentohen me makinë

Tre të rinj nga Fieri me banim në Athinë kanë humbur jetën tragjikisht në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte, si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor në Glyfada, një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit grek. Dy të tjerë, janë në gjendje të rëndë.

Aksidenti tronditës ndodhi në orën 02:00 të mëngjesit në rrugën bregdetare pranë Glyfadës. Në kryqëzimin e Avenue Poseidonos dhe Rrugës Kalypsous, duke u drejtuar drejt Pireut, makina me pesë pasagjerë papritmas devijoi dhe u përplas me shpejtësi të lartë në murin e një hoteli.

Shërbimet e urgjencës mjekësore dhe policia mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa zjarrfikësit shpëtuan dy të rinjtë që kishin mbetur të bllokuar midis hekurave të shtypura të makinës. Tre të tjerët, fatkeqësisht kishin humbur jetën në vendngjarje.

Identitetet e tyre nuk bëhen me dije, por një portal lokal në Fier ka publikuar fotografitë e të rinjve, ndërsa dhjetëra qytetarë shprehin mesazhe ngushëllimi për familjet e fierakëve që kanë ndërruar jetë në Athinë.

Dëshmitë janë tronditëse. Sipas mediave greke, miqtë e pesë të rinjve flasin për një garë deri në vdekje, pasi të rinjtë shqiptarë me origjinë nga Fieri ishin duke bërë garë me një makinë tjetër dhe pamjet po transmetoheshin drejtpërdrejt në rrjetet sociale.

18-vjeçari i plagosur ndodhet i shtruar në gjendje shumë të rëndë, i intubuar në njësinë e kujdesit intensiv, pasi ka pësuar një dëmtim të rëndë në kokë, ndërsa i plagosuri tjetër i të njëjtës moshë ndodhet i shtruar në Departamentin e Ortopedisë, i paaftë të kuptojë se tre miqtë kanë vdekur.

Hetimet e policisë helenike po përqendrohen në mundësinë që një automjet tjetër të jetë përfshirë në aksident, në nivelin e një gare të improvizuar. Të dhënat telefonike do të mblidhen për të përcaktuar nëse pesë miqtë po transmetonin drejtpërdrejt në TikTok në momentet e fundit para aksidentit.

Në të njëjtën kohë, një ekspert po shqyrton atë që ka mbetur nga makina për të përcaktuar shpejtësinë e saj në kohën e përplasjes dhe për t’iu përgjigjur pyetjes nëse ata kishin vendosur rripa sigurie.