LAJME / E Martë 5 Nëntor 2024, 01:01

I ofruan shuma ‘të kripura’ për “Njerëz dhe fate”, Arben Derhemi tregon refuzimin epik të Ruzhdi Pulahës

20 vite më parë, “Njerëz dhe fate” ishte seriali që kishte hyrë në çdo shtëpi shqiptare. Historia e Florit, familjes së tij dhe njerëzve pranë tyre mbeti e ngulitur thellë në kujtesë për pasqyrimin e realitetit, ndërthurjen e situatave dhe lehtësinë e të gjeturit të një pjese të vetes te secili personazh.

Skenari i këtij seriali u shkrua nga Ruzhdi Pulaha që 20 vite më vonë, sheh sërish, këtë herë në ekranin e kinemasë, veprën e tij të kthyer në një film. Më 1 nëntor, “Njerëz dhe fate” pati premierën në të gjitha kinematë dhe skenaristi tregoi për kamerën e “Rudina” në Tv Klan shijen e parë të filmit.

Ruzhdi Pulaha: Ne sot ishim mysafirë që pamë filmin. Si gjithë spektatorët, e shoh për herë të parë dhe në këto momente e kam pak të vështirë se më duhet të reflektoj për të ballafaquar që kisha kur shkruaja skenarin dhe imazhin filmik që pamë tani në kinema. Në përgjithësi jam i kënaaqur nga regjia, nga kamera, nga aktorët, por ka një shkëputje të gjatë kur janë bërë 20 seritë e para dhe ky ishte për të vazhduar 10 seri, por Televizioni Shqiptar nuk pranoi ta financonte kështu që ua di për nder këtyre çunave që e kanë bërë me forcat e veta, me shpenzimet e veta dhe dashamirës që kontribuan për ta bërë këtë film. Do të kem dëshirë të bëj edhe më tej, nuk e di a do të kem fuqi ta vazhdoj.

Në studio, protagonisti Arben Derhemi ndan një episos shumë interesant që i ka ndodhur Ruzhdi Pulahës.

Arben Derhemi: Para 2 vjetësh, 3 vjetësh, 4 vjetësh janë munduar që t’ia marrin skenarin, t’ia blejnë skenarin e “Njerëz dhe fate” dhe produksionin e “Njerëz dhe fate” me çmime një çikë problematike, me çmime të larta që t’i prishnin mendjen dhe përgjigjja që ka dhënë Ruzhdi Pulaha është një përgjigje epike, mund ta japë vetëm një artist, “unë nuk shes fëmijë”. Kjo është një gjë që në fund të fundit çdo artist e lë me gojë hapur dhe çdo njeri e lë me gojë hapur sepse sot nuk do të dijë njeri fare për këto fëmijët artistikë.